Ditën e mërkurë më datë 6 maj (nesër) do të zhvillohet Samiti i Zagrebit në n jë format të pazakontë për shkak të koronavirusit, duke përdorur metodën online ndërsa detaje të reja mësohen për këtë zhvillim të rëndësishëm ku marrin pjesë liderët e Be-së si dhe ata të Ballkanit Perëndimor.
Mësohet se në këtë samit liderët nuk do të shfaqen me simbolet kombëtare përfshirë flamujt, për ta respektuar kështu statusin neutral të BE-së në raport me Kosovën.
Në takimin virtual, do të marrin pjesë 27 liderët e BE-së, si dhe ata të 6 shteteve ballkanike përkatësisht Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.
Ndërkohë Kosova nuk njihet nga pesë shtetet anëtare të BE-së, përfshirë edhe Spanja ndërsa shtetet e tjera janë: Sllovakia, Greqia, Qipro dhe Rumania. Me sa duket, në kryeqytetin e BE-së janë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e çështjes, për këtë arsye e kanë gjetur zgjidhjen për të shmangur problemet.
Këshilli ka kërkuar me mirësjellje që të mos ekspozohen flamujt apo simbolet gjatë video-konferencës, e kjo është pranuar.
Spanja bojkoti Samitin që u mbajt në Bullgari më 2018, që në atë kohë, kryetari i qeverisë, Mariano Rajoy, vendosi të mos merrte pjesë për shkak të pranisë së Kosovës. Ndërsa ndryshe nga sa dy vite më parë, kësaj radhe, Pedro Sanchez e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij.
Fax News ka zbardhur edhe axhendën e këtij Samiti ku mes të tjerave do të diskutohet edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si dhe mënyrën e menaxhimit më të mirë të sfidave të sigurisë.
Samiti pritet të bashkojë përmes teknologjisë krerët e shteteve nga 27 vende anëtare të BE-së me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. (Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut).
Samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, si përfaqësues i Bashkimit Europian së bashku me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Vor der Leyen. Samiti BE-Ballkani Perëndimor ishte planifikuar që të mbahej në datat 6-7 maji në Zagreb të Kroacisë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)