Pas takimeve në Paris dhe në Londër, liderët evropianë do të mblidhen sot në Bruksel për një “samit të veçantë”, në të cilin bën pjesë edhe plani i tyre për një rritje të madhe ushtarake. “Bashkimi Evropian do ta bëjë vërtet ndryshimin në mbrojtje,” tha një zyrtar i lartë i BE-së në prag të samitit. Ai shtoi se ka “gatishmëri të qartë” nga të gjithë për këtë çështje.
Samitit i së enjtes u thirr më 27 shkurt, si përgjigje ndaj zhvillimeve të shpejta diplomatike. Por prej atëherë, zhvillimet janë përshpejtuar pas përplasjes në Zyrën Ovale dhe vendimit të Uashingtonit për ta pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Në një garë me kohën, udhëheqësit e BE-së synojnë të gjejnë zgjidhje se si të rrisin shpenzimet e mbrojtjes për të mbështetur më tej Ukrainën dhe për të përmirësuar ndjeshëm kapacitetin mbrojtës të Evropës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pritet të marrë pjesë në samit edhe pse nuk është ende e qartë nëse do ta bëjë ketë fizikisht apo virtualisht. Një pikë kyçe do të jetë plani i paraqitur nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen më 4 mars i quajtur riarmatosja e Evropës.
Plani parashikon lëshimin e deri në 800 miliardë eurove për shtetet anëtare të BE-së për t’i shpenzuar për mbrojtjen. Kancelari gjerman Olaf Scholz planifikon të marrë pjesë në samit. Gjithashtu edhe Friedrich Merz, i cili fitoi zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar në Gjermani pritet të vizitojë Brukselin për të marrë pjesë në një mbledhje të liderëve konservatorë.