I ftuar në intervistën e Fax News, eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, zoti Geron Kamberi, foli rreth samitit për Ukrainën, të zhvilluar sot në Tiranë.
Kamberi tha se kjo vizitë ka qenë në qendër të diskutimit të shumë samiteve. Sipas tij, Shqipëria synoi të jepte një mesazh solidariteti, i cili lidhej me mbështetjen e Ballkanit Perëndimor dhe Europës për Ukrainën.
“Nga ana tjetër, ky samit i jep një peshë tjetër Shqipërisë përballë diplomacisë ndërkombëtare”, tha Kamberi.
I pyetur nga gazetari Albi Rakip se si i ka parë zoti Kamberi deklaratat e zotit Rama duke premtuar armatime shtesë për Ukrainën, Kamberi u përgjigj:
“Nuk shoh ndonjë surprizë të madhe. Jemi në vijimësi të një qëndrimi këmbëngulës, përderisa Shqipëria ka dënuar agresionin rus. Shqipëria ka shfaqur gjithmonë mbështetje ndaj Ukrainës. Shumë emigrantë ukrainas erdhën në Shqipëri dhe një pjesë e tyre janë ende këtu”.
–Organizimi i këtij samiti në Tiranë, vjen menjëherë pas vizitës së zotit Blinken? A duket se bota i ka sytë nga Shqipëria?
“Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s. Gjithashtu, ka krijuar dhe një stabilitet rajonal. Kjo ndodh për shkak dhe të faktorit shiptar në rajon. Të mos harrojmë Kosovën, në Maqedoninë e Veriut kemi një kryeministër shqiptar, në Malin e Zi kemi po ashtu një mazhoritet shqiptar”, tha Kamberi.
Në samitin e sotëm, vumë re dhe largimin e zotit Vuçiç nga Pallati i Kongreseve. Në praninë e vetëm gazetarëve serb, ai tha se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Zoti Kamberi dha këtë koment:
“Vuçiç ka përcjellë mesazhin e tij që Serbia veçohet nga vendet e Europës Juglindore përkundrejt Kosovës. Ky është një qëndrim i vazhdueshëm dhe i pandryshuar.”