I ftuar në intervistën e Fax News, gazetari maqedonas, Naser Selmani, foli rreth Samitit për Ukrainën, të zhvilluar në Tiranë.
Selmani u shpreh se vizita e Zelenskyt në Tiranë, tregoi një shenjë mirënjohje ndaj Shqipërisë, e cila që në fillim ka mbështetur Ukrainën
“Mendoj se ardhja e zotit Zelensky në Tiranë është një demonstrim i mirënjohjes së merituar të Shqipërisë dhe shqiptarëve për mbështetjen e pakursyer ndaj Ukrainës dhe popullit ukrainas për të luftuar agresionin e paprovokuar rus. Mendoj se nuk ka shtet dhe popull në Europën Juglindore që në nuk ka shprehur që në çastet e para të agresionit rus, simpatinë, rezistencën dhe heroizmin për të mbrojtur vendin e tyre.”.
Ajo çka bëri më shumë përshtypje, ndoshta ishte dhe shokuese, ishte fakti se Selmani tha se mediat maqedonase e raportuan në mënyrë të turpshme samitin e djeshëm, si dhe vendosën mospjesëmarrjen e tyre në samit.
Ai u shpreh se Maqedonia e Veriut është shndërruar në një republikë serbe në Ballkanin Perëndimor
–Albi Rakip: Ku qëndron Maqedonia e Veriut në këto dy samite dhe çfarë do të thotë pjesëmarrja e saj?
“Në Maqedoni ka një qasje të dyfishtë. Qeveria maqedonase ka bërë të pamundurën për të ndihmuar me pajisje, me armatime dhe municione. Por nga ana tjetër, opinioni publik nuk është në këtë linjë. Raportimi i djeshëm maqedonas për samitin e djeshëm, ka qenë i turpshëm. Tirana dje ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave të rajonit. Asnjë nga mediat maqedonase nuk ka marrë pjesë. Pjesa dërrmuese e mediave maqedonase ka qenë pro ruse. Këtu janë të pakta mediat online që janë në mbështetje të Ukrainës. Pjesa dërrmuese e mediave maqedonase jep vazhdimisht lajme rreth Putinit dhe Rusisë.
Me sa duket, në propagandë, heshtja është një nga instrumentet më të fuqishme, sepse këta nuk kanë guximin të mbështesin hapur agresionin rus dhe mënyra e vetme që u ka mbetur është bojkotimi në pjesëmarrje.Unë e them dhe vazhdoj ta them, Maqedonia e Veriut është shndërruar në një republikë serbe në Ballkanin Perëndimor”