I ftuar në intervistën e Fax News, drejtori i “Lëvizja Europiane për Shqipërinë”, zoti Gledis Gjipali, foli rreth temës kryesore të ditës, Samiti për Ukrainën.
Gjipali e cilësoi samitin e sotëm si një ngjarje pozitive për Shqipërinë, pasi tregon se Shqipëria dhe Ballkani kanë një rol për të luajtur në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës. Ai e cilësoi këtë si një zhvillim pozitiv për rajonin.
“Shqipëria e ka mbështetur që në fillim Ukrainën. Tashmë mendoj se dy vendet janë akoma dhe më pranë njëra-tjetrës”, tha Gjipali.
I pyetur nga gazetari Albi Rakip se cili ishte qëllimi kryesor i këtij samiti dhe pse u zhvillua pikërisht në Tiranë, zoti Gjipali u përgjigj:
“Mendoj se qëllimi kryesor i këtij samiti është mbajtja gjallë e solidaritetit të treguar nga vendet e Ballkanit Perëndimor në mbështetje të Ukrainës dhe kërkohet që kjo mbështetje të vijojë, sepse Ukraina e ka nevojë. Konflikti mund të vazhdojë me vite. Kjo tregon se Ukraina ka nevojë për mbështetje në të gjitha dimensionet dhe nga vende të ndryshme. Mendoj se Shqipëria është në pozicion të mirë krahas vendeve të tjera të ballkanit, kur e dimë mirë që Serbia dhe Bosnja-Hercegovina nuk janë mbështetëse të Ukrainës. Ndërsa vende të tjera kanë problematika të brendshme. Mal i i Zi ka një qeveri të re, Maqedonia e Veriut do zhvillojë zgjedhje të përgjithshme, Kosova ka problemet e përhershme me Serbinë”.
-Albi Rakip: Çfarë përfiton Shqipëria nga ky samit?
“Fitim politik. Kjo sepse Shqipëria promovohet si një vend me stabilitet të mirë politik dhe ekonomik. Shqipëria tregon një qëndrim të qartë pro-europian të palëkundur. Nuk ështe se Shqipëria ka pasur ulje-ngritje. Në këtë aspekt, Shqipëria përfiton njohje dhe vlerësim të rolit që luan dhe do luajë në të ardhmen.”
-Albi Rakip: Cili është roli i kryeministrit Rama në rajon dhe në nivelin ndërkombëtar?
“Rama ka luajtur një rol të dukshëm. Ai ka synuar të dalë përtej politikës së brendshme në raport me vendet e tjera, kjo dhe me iniciativat e marra nga ana e tij. Në rajon vetëm Rama dhe Vuçiç janë zyrtarët më të lartë, me një jetëgjatësi të madhe në postet e tyre.
Rama ka qenë shumë i zellshëm me kritikat e tij drejtuar Bashkimit Europian, përsa i përket politikave për anëtarësimin. E shoh pozitiv rolin e tij.
Të mos harrojmë se është hera e parë që kemi një profil të tillë që ndikon pozitivisht në Shqipëri.”