Antonio Conte shikon tre golat e Lautaro Martinez (me Argjentinën) me pamje të ngadalësuara dhe buzëqesh.
22 vjeçari me talent të pastër është gati të shpërthejë edhe me fanellën zikaltër, pas një sezoni të parë pozitiv aklimatizimi. Lautaro duhet të vlerësohet teknikisht nga Conte dhe të blindohet kontraktualisht nga Interi me nxitim, sepse ka fituar interesimin deri të Barcelonës. Sidoqoftë, mbrëmjen e së shtunës, kundër Udinese, nuk pritet të jetë pjesë e formacionit startues, gjithsesi.
Nëse “Toro” magjeps me mrekullitë e tij jashtë Italisë (me kombëtaren), Interi duhet të llogarisë tashmë edhe një sulmues tjetër, Alexis Sanchez, që u kthye i pari nga angazhimet ndërkombëtare, për t’u stërvitur sa më shumë ditë të jetë e mundur me Conte. Për momentin, pritet që ai të luajë në partneritet me Lukakun kundër Udinese, skuadrës që përfaqësoi tri sezone, nga viti 2008 deri më 2011. Sidoqoftë, zgjedhja e Conte nuk është diktuar nga sentimentalizmi, natyrisht.
Trajneri zikaltër, pavarësisht se nuk është një dashnor i “turn over”, e ka një “stafetë” në kokën e tij: Sanchez luan në “San Siro”, në kampionat, kundër Udinese, ndërsa Lautaro të martën, në debutimin e Ligës së Kampionëve kundër Slavia Praga. Pra, argjentinasi do të jetë titullar në Champions. Sezonin e kaluar, me Spalletti në stol, argjentinasi nuk pati sukses në këtë kompeticion, as shënoi dot një gol. Tani, Lautaro duket i gatshëm për të lënë shenjën e tij…
Discussion about this post