Një tjetër natë agonie kanë përjetuar banorët e ishujve Cyclades, teksa ka vijuar aktiviteti intensiv i lëkundjeve sizmike mes Santorinit dhe Amorgosit pas tërmetit që u regjistrua me magnidtudë 5.3 shkalla Rihter, më i fuqishmi deri tani që nga fillimi i aktivitetit sizmik.
Gjatë oreve te fundit pesë nga tërmetet e regjistruara ishin midis 4 dhe 5 ballë të shkallës Rihter. Duke analizuar sekuencën sizmike të pandërprerë , me gati 10.000 tërmete deri tani në këtë zonë, kreu i Organizmit për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmeti , Efthimios Lekkas ka folur për një fenomen të paprecedentë, duke theksuar se “aktiviteti sizmik nuk ka lidhje me proceset vullkanike”.
Ndërkohë që një ekip i madh shkencor po analizon të dhënat e marra nga sizmografët tokësorë dhe nënujorë, për të përcaktuar nëse ka një lidhje mes tërmeteve vullkanike dhe tektonike, sot mblidhet Komisioni për Rrezikun e Tërmeteve, i cili do të vendosë për hapat që do të ndërmarrin ekspertët tani e tutje. Në të njëjtën kohë priten edhe të dhënat e para nga dy sizmografët që janë nxjerrë nga zona.
Madje ekspertët po instalojnë 8 sizmografë të rinj të teknologjisë moderne rreth vullkanit nënujor të Kolumbos. Ky është një mobilizim i paprecedentë kërkimor për të analizuar dhe vlerësuar fenomenin.
Sa i përket sezonit turistik dhe mundësisë që ai të ndikohet nga aktiviteti sizmik në vazhdim, specialistët vënë në dukje se komuniteti shkencor do të vlerësojë kur mund të thuhet me siguri se rreziku është ulur.Deri tani lëkundjet nuk kanë shkaktuar dëme serioze, megjithatë, vëmendje e veçantë i kushtohet strukturave të vendosura në buzë të Kalderës, pjesa më turistike e ishullit.
Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Santorini dhe ekipet e emergjencës tashmë ndodhen aty në gadishmëri për të përballuar shpejt çdo fatkeqësi të mundshme. Të paktën 12000 vetë, banorë ,turistë dhe të punësuar janë detyruar të evakuohen përkohësisht dhe shumë biznese janë mbyllur.
Ndërkohë një anije oqeanografike me një ekip të madh kërkimor edhe me specialistë ndërkombëtarë me pajisje moderne, do të lundrojë në këtë zonë në ditët në vijim për të mbledhur të dhëna shtesë gjeologjike, gjeofizike, gjeokimike dhe oqeanografike, me qëllim që të kontribuojë në një kuptim më të plotë të aktivitetit sizmik që po zhvillohet në rajon.