Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj 59-vjecares Tire Alldërvishaj, pasi i ka marrë shuma të konsiderueshme parash një shtetaseje. Gjatë seancë u dha masa e sigurisë “arrest me burg”, Prokuroria njoftoi se do të sekuestrohen kartelat në spitalin Covid 2 për të parë nëse e dyshuara ka bashkëpunuar apo jo me persona të tjerë.
Ndërkohë që avokatja mbrojtëse e Alldërvishajt tha përpara gjykatës së Tiranës se ngjarja është shumë e rëndë, dhe për këtë ata kërkojnë që të ketë një hetim të gjithëanshëm. Avokatja foli për prova që mund të ndryshonin tablonë e ngjarjes.
“E mbrojtura prej nesh është në gjendje të rëndë psikologjike dhe e ka të pamundur të jap shpjegime për hetimin në këtë moment. Sapo ka kaluar Covid dhe ne kërkojmë një masë më të butë ndaj saj. Disponojmë prova që kjo ngjarje ka një tjetër tablo, por që do ti paraqesim në një moment tjetër. Kërkojmë që të merret një vendim sa më objekti”, u shpreh në seancë avokatja mbrojtëse e Alldërvishajt.
Sanitarja akuzohet për “mashtrim më shumë se një herë”, dhe dyshohet në bashkëpunim, por nga materiali referues që policia i ka dërguar prokurorisë nuk rezultojnë ende të zbardhur emra të tjerë. Fax news ka mësuar se në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, nën hetim janë vënë edhe 4 punonjës të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Në ditët në vijim prokuroria pritet që të marrë në pyetje disa persona, punonjës në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Sipas informacioneve që Fax news ka siguruar nga prokuroria, ka mësuar se mes personave që do merren në pyetje nga do të jenë edhe mjekë e infermier të këtij spitali, i kthyer prej muajsh në spitalin COVID-2. Tire Alldërvishi, u vu në pranga, pasi duke u hequr si infermiere mashtroi një 30- vjeçare, vajza e një pacienteje me Covid-19, që po trajtohej në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Ajo arriti ti merrte të resë rreth 8 milionë lekë të vjetra, me pretendimin se do kujdesej për nënën e saj. Burime thanë se vajza e të ndjerës ka bërë denoncimin në polici, disa orë përpara se të transmetoheshin pamjet në një emision investigativ. Përveç pamjeve të emisionit të transmetuar mbremjen e së martës, policia ka sekuestruar edhe disa kamera sigurie pranë spitalit “Shefqet Ndroqi”, që konfirmojnë takimin e vajzës me sanitaren.
(E.K/Faxweb.al)