Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Diving”, në kuadër të kontrolleve të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik.
Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një rast të armëmbajtjes pa leje që përbënte rrezik për sigurinë e qytetarëve.
Gjatë kontrollit në lagjen nr. 1, rruga “Butrinti”, shërbimet e Policisë ndaluan një automjet luksoz tip Porsche, në të cilin udhëtonin tre persona. Njëri prej tyre, shtetasi Endri Doku, tentoi të arratisej duke u hedhur në det së bashku me një çantë ku ndodhej arma e zjarrit. Falë reagimit të shpejtë të forcave të Policisë dhe mbështetjes nga patrulla lundruese e Policisë Kufitare, u bë i mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi dhe sekuestrimi i armës.
Të arrestuarit janë:
-
Endri Doku, 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”;
-
Imer Gega, 21 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
-
Ervis Cukali, 27 vjeç, banues në Kamëz, për të njëjtat vepra penale, i cili rezultoi gjithashtu person në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
-
1 armë zjarri tip pistoletë,
-
16 fishekë luftarakë,
-
Automjeti luksoz tip Porsche.
Materialet procedurale u referuan pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Sarandës dhe Policia Kufitare vijojnë kontrollet intensive për rritjen e sigurisë dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme që rrezikojnë rendin publik.