Saubin Mehmeti, kryetar i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi ka folur për Fax News, teksa në vendin fqinj po vijon procesi i votimit duke zbuluar se ky proces është relativisht i qetë.
Ai tha se pjesmarrja në votime është relativisht e lartë, ndërsa pritet që deri në mbyllje të procesit të votimit, të shprehen rreth 70% e votuesve ndërsa shtoi se shqiptarët do të sigurojnë të paktën 2 mandate deputetësh.
“Është situatë e qetëm, aty ku ka shqiptarë se nuk i mbulojmë qendrat e tjera nuk ka pasur incidente. Interesi siç nuk ka ndodhur ndonjëherë tjetër, deri në orën 12:00 pjesmarrja është rreth 35% dhe presim që deri në darkë të ketë një pjesmarrje deri në 70%. Besoj pas orës 15:00 do të kemi një përmbledhje dhe pasqyrë më të qartë të procesit. Kam qenë në terren dhe kam vizituar një sërë vendvotimesh, dhe masat për pandeminë mund të them me përgjegjësi se janë marrë 100%. Besoj se nuk do kemi shtesë të infektuarve si pasojë e zgjedhjeve. Kemi raste të reja, është si proces i përhapjes së vazhdueshme të pandemisë, por besoj se do i kalojmë me sukses këtë pandemi por edhe procesi zgjedhor të kalojë sa më mirë.
Në shtabin zgjedhor të koalicionit tonë nuk ka ndonjë rast të denoncuar. Kemi hasur ditëve të kaluar parregullsi që janë të zakonshme. Interesi është nga të gjitha palët garuese shumë i madh. Interesi ynë i shqiptarëve është që të marrim secila nga një deputet, dhe shpresojmë edhe për një deputet të dytë në bazë të interesit në dalje. Sa më e madhe të jetë pjesmarrja mundësia e marrjes së mandatit të tretë është diçka e mundshme. Besoj se të dy koalicionet shqiptare do të kenë nga një deputet të siguruar”.
Në lidhje me qëndrimin e kryeministrit shqiptar Edi Ramës në mbështetje të homologut malazez, Gjukanoviç, Mehmeti tha se e kupton frymën e partneritetit mes tyre, por si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, duhet të jenë shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politik në Malin e Zi mbi çdo interes tjetër.
“Çdo qeveri dhe çdo kryeministër shikon interesin e tij politik, nuk shikoj ndonjë gjë të keqe që dikush ta mbështesë një partner. në radhë të parë mendoj se Kosova dhe Shqipëria në mënyrë të veçantë, fokusi, mbështetja pa kushte duhet të jetë ndaj shqiptarëve që jetojnë këtu. Ta kushtëzojmë çdo aktivitet politik. Të shikojmë rezultatet pastaj do jemi pjesë e politikës gjithëshqiptare, të shikojmë ku janë shqiptarët e Malit të Zi në kuadër të politikës mbarëshqiptare. Besoj se sot është në dorën e sovranit dhe ata do ta thonë fjalën e tyre”.
Mediat dhe sondazhet flasin për një rënie të mbështetjes ndaj Gjokanoviçit, ndërsa Mehmeti thotë se e ka të pamundur të ketë shumicë absolute, por kushdo që të dalë forcë e parë, nuk krijon dot qeverinë pa përfaqësuesit e pakicave.
“Është e pamundur të ketë shumicë absolute, nuk e ka më atë mbështetje që kishte. Çdo qeveri do të jetë e varur nga pakicat, siç janë shqiptarët, boshnjakët. Shqiptarët janë faktor që do ndikojnë në formimin e qeverisë së ardhshme, kjo do të mjaftonte për të pasur angazhim për të fituar më shumë prezencë në Kuvend e më pas edhe në vendimmarje”, tha Mehmeti.
(F.GJ/FAXWEB.AL)