3 anëtarë të këshillit bashkiak Belsh janë larguar nga LSI-ja për të shkuar tek Partia Socialiste.
Përveç tyre, PS-së do t’i bashkohen dhe 1 këshilltar i PDIU-së, 1 nga PLL-ja dhe 1 nga Partia Balli Kombëtar.
Në deklaratën e tyre për mediat, këshilltarët e LSI-së në Elbasan ka thënë se koalicioni PD-LSI në opozitë nuk duhet të kishte ndodhur.
Ata shtojnë se opozita nuk bëhet duke qëlluar me çizme, marrë shkas nga gjesti i Kryemadhit pak javë më parë.
Deklarata e plotë:
Kur 3 vjet më parë garuam për këshillin bashkiak nën siglën e LSI, ishim të bindur se bashkimi i së majtës kishte ndodhur njëherë e mirë. Dhe se koalicioni i Ilir Metës me Berishën në 2009 ishte thjesht një gabim rastësor, që ishte harruar e nuk do të përsëritej më kurrë.
Por ja ku jemi, 8 vjet më vonë, e sërish LSI është në koalicion me Partinë Demokratike, duke punuar jo vetëm kundër të majtës, por duke kundërshtuar pa asnjë sens çdo gjë të mirë që është bërë në 5 vitet e fundit.
Nuk bëhet opozitë duke gjuajtur me çizme si Monika Kryemadhi. Nuk bëhet opozitë duke sharë me libër shpie si Petrit Vasili. E më keq akoma, nuk bëhet koalicion me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën që kanë vrarë e vjedhur Shqipërinë e shqiptarët.
Fatkeqësisht Lëvizjes Socialiste për Integrim i është verbuar shikimi. Nuk mbështet më as integrimin europian të vendit, për të cilin iu vu dhe emri partisë, por është gati të bashkohet me Lulzim Bashën që financohet nga propaganda ruse. Nuk arrin të shohë asnjë investim që ka ndryshuar Belshin si dita me natën, por vetëm vjell vrarë duke e nxirë imazhin e vendit tonë.
Ne nuk mund të vazhdojmë të jemi pjesë e kësaj partie, pasi ne nuk mund të bëhemi palë me bllokuesit, kundër atyre që po përpiqen ta zhvillojnë Shqipërinë.
Ne jemi zgjedhur për të punuar për Belshin, për ta ndryshuar atë. Katër vjet ministri i LSI nuk e përfundoi dot rrugën Tiranë-Elbasan. Brenda vitit Edi Rama premton përfundimin e kësaj rruge.
Për të gjitha këto arsye, ne nga dita e sotme i bashkohemi këshilltarëve të Partisë Socialiste për të kontribuar për zhvillimin e zonës tonë.
(F.G/Faxweb.al)
Discussion about this post