E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e demokrates Rudina Hajdari ndaj kryeministrit Edi Rama pas ironisë së këtij të fundit në sallën e Parlamentit.
Hajdari i kërkoi kryeministrit që të mos merret me të dhe të mos tregojë hallet apo peshat që i kanë rënë familjarëve të tij, por të tërhiqet nga paketa antishpifje. Sipas Hajdarit, kjo paketë do të erdoganizojë vendin sepse do të shkelen të drejtat e njeriut.
“Ju kërkoni sot të keni më shumë të drejta që mund të ketë Artur Zheji, Çim Peka, apo kë përmendët ju. Gjithsecili prej tyre ka të drejtat njerëzore. Jemi këtu për të mbrojtur Kushtetutën e Shqipërisë. Zoti kryeministër jeni akoma në kohë të tërhiqeni nga kjo paketë, ta rishikoni. Zoti kryeministër thotë se ju nuk dini të lexoni, as BE nuk di të lexojë, vetëm ju lexoni, ne të tjerët nuk dimë fare.
Ju lutem tani. Ju e dini fare që AMA dhe AKEP nuk duhet t’i kenë këto kompetenca. Ju po cenoni të drejtat e individëve. Nuk jemi këtu të dëgjojmë se çfarë i bie mbi peshë familjes së tij. Atij sikur i intereson shumë familja ime apo jeta ime. Ju lutem tani, nuk kam nevojë fare të qani hallet e mija ashtu siç unë nuk dua të qaj hallet tuaja”, tha Rudina Hajdari.
Sipas saj, nëse kjo paketë do të kalojë sot, atëherë Shqipëria do t’i kthejë kurrizin Bashkimit Evropian. “Ka një arrgoncë tejet të theksuar që nuk është parë kurrë më parë. Nuk jam këtu të mbroj qeverinë e mëparshme, jam këtu të mbroj qytetarin. Jam e shqetësuar sepse kjo paketë i kthen kurrizin BE, është një paketë që edhe sot nxit deklaatat nga PE që thonë se nëse kjo paketë miratohet, atëherë Shqipëria i kthen kurrizin BE.
Kjo paketë nuk mund të miratohet sot sepse Shqipëria merr kryesimin e OSBE. Ju keni një vit që e keni shtyrë këtë paketë se e dini fare mirë se çfarë pakete është. Drejtimin e OSBE në 2020 do të ishte një arritje tjetër pas anëtarësimit në NATO dhe ky shans nuk duhet humbur. Unë nuk po them që nuk kemi nevojë për riformatim, nuk po them që shpifjet e mediave nuk kanë kaluar çdo kufi. Duhet parë, por jo përmes filtrit të pushtetit”, u shpreh Rudina Hajdari.