Ministri i Diasporës Pandeli Majko ka dhënë së fundi një intervistë ndryshe për gazetarin Adi Krasta, ku ka rrëfyer më shumë dhe për marrëdhënien mes tij dhe kryeministrit Rama.
Majko tha se ai me Ramën ka pasur përplasje që të gjithë i dinë për Teatrin, po që nuk dha më shumë detaje.
Çfarë frazash janë shkëmbyer mes teje dhe Kryeministrit në Parlament për çështjen e Teatrit? Çfarë i the e çfarë të tha?
E pse duhet ta them tani këtë.
Në interes të publikut.
Po nuk më duket me kaq interes.
Ka pasur një shkëmbim batutash?
Sigurisht kemi shkëmbyer, dallohet qartë dhe në TV, nuk besoj se përbën një sekret kjo.
Pse, për shembull e merr ti tani në kuptimin, si e merr pyetjen time, përse nuk dëshiron që të paktën të thuash çfarë i the, jo çfarë të tha?
Po kam një kontratë me Kryeministrin.
Një kontratë që thotë se nuk duhet të flasësh?
Jo, s’duhet të bëj interesantin më shumë se ç’duhet.
Ti ia lejon Kryeministrit të bëjë interesantin më shumë se ç’duhet? Në marrëdhënie me? Në marrëdhënie me ty ose me të tjerët?
Unë e kam mik, në radhë të parë e kam mik. Kjo është arsyeja pse jam në qeveri, kjo është arsyeja se pse pranova të bëhem ministër edhe pa më thënë.
I ke bërë ndonjë pyetje vetes Pandi, pse Kryeministri ka ndaj teje një sjellje relativisht si me thënë jo domosdoshmërisht të përulur, por të kujdesshme. Si me thënë, me çfarë mund ta kishte trembur ti atë?
Me asgjë. Unë të nesërmen shkova i dorëzova dorëheqjen.
Të cilën ai nuk e pranoi, duke thënë çfarë?
Unë nuk kisha ndërmend ta pranoja mospranimin e tij, por boll disa fjalë që nuk vinin nga Kryeministri, por vinin nga Edi, që unë të thashë e kam mik, më ndryshuan mendjen.
Ti je pjesë e asaj që sot quhet qeverisja si “Rilindje”?
Jo, unë i them shkurt “RL”, por…
Pra, je pjesë e “RL”-së?
Do më hanë kokën kolegët kur ta dëgjojnë këtë intervistë, nëse e dëgjojnë. Problemi është i tillë. Nuk besoj që ka një diferencë mes një rilindësi dhe një socialisti. Në thelb janë disa elementë që në një moment të caktuar të fushatës elektorale u shprehën. Por që mua të më thuash ke diferencë nga një kolegu yt që është më i ri dhe po e quajmë rilindës, kjo do ishte qesharake.
Po ti, si e ndien veten, më shumë socialist apo rilindës?
Tek unë s’ka asnjë diferencë. Aktualisht në PS ka një prurje goxha të madhe, sidomos pas 2013-ës. Dikush mund t’i quajë rilindës, dikush mund t’i quajë me një emër tjetër, ç’rëndësi ka. Ata janë produkti i asaj që po prodhon PS-ja në pushtet. Sot janë prodhim i pushtetit, nesër mund të jenë prodhim i të qenit në opozitë. Në thelb kështu krijohen politikanët. Nuk krijohen në mënyrë tjetër, si qofte.
Çfarë raporti ke ti me zotin Veliaj?
Raport të mirë pune.
Mund të ndodhë që nëpër takime, nëse ti do kishe marrë një njoftim që një grup njerëzish brenda PS-së me në krye kreun e Bashkisë së Tiranës, që domosdoshmërisht të kërkon që të jetë konkurrent edhe këtë herë për Bashkinë e Tiranës dhe nëse ndodh kështu, ai e fiton betejën. Pra, nëse ka një grupim, i cili kërkon të bëjë një ndryshim politik brenda PS-së. Pra, t’i marrë Ramës pozicionin e partisë me shpresën që më pas të bëhet Kryeministër. Këtë aksion, ti e mbështet, nuk e mbështet, e kundërshton apo je inert?
Si ta përkthej unë këtë. Mendon që Erion Veliaj, të abstraktojmë bashkë, do kërkojë t’i zërë vendin Edi Ramës duke qenë Rama në kokë të vet Kryeministër i Shqipërisë?
Po.
Të lutem. Nuk besoj. Nuk ndodh.
Nuk beson apo nuk ke informacion.
Nuk ndodh.
Mund të ndodhë që Kryeministri të mos e vendosë Veliajn për kryetar të Tiranës dhe nëse ndodh, pse duhet ta bënte?
Nuk kam informacion, e kam dëgjuar si thashethem. Por mendoj se Rama do dëmtonte veten më shumë se sa Erionin.
Duke qenë se je socialist. Dëshiron që qeverisja të vazhdojë edhe këto 2 vite…
Do doja që të kishte një PD më të fortë se kjo, mund të duket si provokim si një njeri që ka konflikt interesi të shprehet për opozitën se jam qeveritar.
Ju nuk e fshihni lumturinë që ata janë të dobët për momentin. Si mund t’i duash ti më të mirë që ata ta heqin PS që sot nga pushteti dhe të vijnë vetë?
Unë mendoj se Basha pikën më të fortë sot ka dobësinë. Por ajo që është e pakuptueshme është ekipi. Është një njeri që nuk ka ekip rreth vetes. Një ekip që nuk mungonte kur ishte Berisha në drejtimin e PD-së. Folëm pak për njëshin e fortë etj.. PD përgjithësisht u profilizua mbase edhe për shkak të jetëgjatësisë së Berishës në krye të PD-së. Tani ne duhet të njohim faktin që Basha drejton sot një strukturë që funksiononte me një njeri. A ia ka arritur apo do ia arrijë? Kjo është një përgjigje që i takon demokratëve dhe jo mua.
Ti je veshur në mënyrë konservative pasi ke ardhur nga Kuvendi, pasi fakti që Rama në festat e fundit provokoi me qëllim duke veshur atë dollomanë…
Brekushet.
Po. Çfarë ju bëri përshtypje. Ju bën përshtypje shëndeti mendor i njerëzve të politikës?
Jo, miku im. Rama shprehet me mënyrën e tij dhe ai është një perceptivist revolucionar i një natyre shumë të veçantë.
Ma thuaj shprehjen që ta kuptojë dhe publiku.
Pra, një njeri që merret me atë që duket. Ai shpesh do që të nxisë që të merresh me atë që do ai dhe jo me atë që do ti. Ato brekushet, ti do ti kuptosh me këtë që po them unë.
Këtë e ka kuptuar i gjithë elektorati. Pyetja është kur do flasë Kryeministri për punësimin, për borxhin dhe rininë që po ikën dhe kur do bëhen në Kuvend këto biseda.
E ka sjellë situatën në një mënyrë të tillë që 90% e bisedave që konsumohen në sytë e publikut duken jo serioze. Dhe mos më thuaj që ky nuk quhet art.
Disi. Arti i gënjeshtrës dhe i propagandës.
Nuk besoj, por më bëhet qejfi që ti pranon se arti ekziston.
Je i shqetësuar ti për një raport relativisht të paplotë dhe jo domosdoshmërisht bazuar mbi një platformë interesante bashkimi dhe kohezioni mes Shqipërisë dhe Kosovës aktualisht? Të rezulton se janë më të ftohta me njëra-tjetrën?
Mbledhja e fundit ishte një nga mbledhjet me konkrete në këndvështrimin tim, për sa i takon marrëveshjeve. Tani gjërat janë më të qarta dhe konkrete, ka data ekzakte për t’u realizuar këto marrëveshje. Pra, maksimumi brenda gjashtëmujorit të parë të vitit gjërat do të nisin, duke filluar me doganën e Durrësit që do përdoret edhe për Kosovën, apo kufiri që do të jetë i hapur mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Politika ka një problem të madh me administratat e të dyja shteteve tona. Mentalitetet e tyre kanë nevojë të nxiten, por unë në këtë pikë i vë faj më shumë administratës shqiptare. Ti je ministri i Diasporës. Ç’është kjo diasporë për ty?
Është e dyta e gjithçkaje që ka të bëjë me konceptin shqiptar, është jeta e dytë, historia e dytë e pashkruar, është mënyra e dytë se si ne e përjetojmë botën dhe do të jetë rilindja e dytë, ashtu siç e kuptoj unë, e një kombi që shtrihet nga Alaska deri në Australi.
Në jemi të shpërndarë në të gjithë botën, por rizbulojmë veten, duke gjetur shqiptare nga Ukraina deri në fshatrat më të humbur të Italisë, me arbëreshët tanë dhe jemi duke rindërtuar ADN, por jo ADN ashtu siç e mendojmë ne, me një lidhje me dërgesa librash e kështu me radhë, por të një kombi që po funksion në një mënyrë të re.
Jemi ndër kombet e rralla si Izraeli dhe Irlanda dhe disa kombe të tjera, që i kanë të gjitha gjasat të funksionojnë brenda një projekti të jashtëzakonshëm që quhet Kombi Global. Por këtë histori të re teknologjike që po vjen, asgjë nuk është çudi.