Prekë Gjoni është një i moshuar nga Kopliku, që vijon të jetë prej 6 vitesh nëpër seanca gjyqësore për çështje pronësie. Ai thotë se harta e re gjyqësore i sorollat më shumë dhe është në dëm të qytetarëve…
“Unë jam që në 2016 në gjyq për cështje pronësie, ma dhanë me ligj, ka dal një kundërshtar ka thënë është toka jem. Mbas 6 vitesh e ka fituar në gjykatën administrative këtu në Shkodër. Tash ia kanë dhënë Tiranës. Jam 76 vjeç, a jam a s’jam pas 6 viteve. Sorollatet krejt, shpenzimet e rrugës, boll me nejt dyerve të gjykatës. Avokati më ka dhënë një vendim. Kjo është në dëm të popullit, jo të shtetit. 6 vjet me nejt për një vendim gjyqi?”– u shpreh Prekë Gjoni.
Ndërkohë, kreu i Dhomës së Avokatisë në Shkodër, Anton Kosteri, kërkoi edhe njëherë vëmendjen e Këshillit të Ministrave për të modifikuar hartën gjyqësore. Ai bëri me dije se në gjykatën e rrethit gjyqësor Shkodër, këtë të marte, kanë qenë të planifikuara 78 seanca gjyqësore, por mbi 70 prej tyre janë pezulluar. Ndërkohë paralajmëron se bojkoti mund të shtyhet përtej afatit të planifikuar.
“Janë bojkotuar të gjitha seancat, asnjë avokat nuk ka marrë pjesë në asnjë proces gjyqësor. Janë bojkotuar të gjitha veprimet hetimore pranë prokurorisë së Shkodrës. Ne thërrasim vëmendjen e Këshillit të ministrave për të rishikuar hartën. Kanë qenë të planifikuara 78 seanca, 90% do shtyhen për shkak të mungesës së avokatëve”– u shpreh Kosteri.