Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka lënë përkohësisht qelinë e paraburgimit në Durrës dhe ka mbërritur në Tiranë, për të marrë pjesë në seancën në Apelin e GJKKO, kur do të shqyrtohet ankimimi i tij për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Ankimimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili u arrestua më 10 shkurt, do ta shqyrtojë gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili njihet si gjyqtari që dënoi me burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Në të njëjtën seancë, paraqiten për ankimin e masës edhe katër biznesmenët, Elman Abule që ndodhet në arrest me burg dhe tre të tjerët Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi që ndodhen në detyrim paraqitjeje.
Erion Veliaj akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.