Seanca e sotme që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda, që prej orës 09:00 të mëngjesit, është padyshim një nga më delikatet e këtyre viteve të fundit, pasi i pandehur është ish-ministri i brendshëm, dikur më i suksesshmi, Saimir Tahiri.
Pas më shumë se dy orësh, prokuroria njoftoi pretencën ndaj Tahirit, ku kërkonte dënimin e tij me 12 vite burg, e në rast se do të pranohej, do të konkludonte me 8 vite, për shkak se procesi në ngarkim të tij është kryer me gjykim të shkurtuar, e cila pason me uljen e 1/3 së dënimit.
Tahiri akuzohet nga Prokuroria për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.
Sipas pretencës së lexuar nga ana e prokurorisë ka katër data kur akuzohet Tahiri, 25 Tetor 2013, 27 shkurt 2014, 29 korrik 2014 si dhe datën 8 Maj të vitit 2015, data në të cilat janë kapur sasi të madhe droge në shtetin italian.
E pikërisht në këtë moment ka ardhur momenti që Tahiri të thotë fjalët e tij, pa kamera, siç bënte pas çdo seance, po në një sallë të mbyllur ku gazetarëve nuk iu lejohen telefonat. Sipas burimeve, Tahiri ka pasur me vete një tabelë, ku ka shpjeguar të gjitha alibitë e tij me laps e letër, se pse kërkon pafajësinë.
Një nga pikat ku është ndalur Tahiri, ka qenë dhe akuza për fikjen e radarëve, për të cilët thotë se kishte njoftuar në cilësinë e ministrit, kolegen e tij në krye të mbrotjes Mimi Kodheli.
“Në cilësinë e ministrit, i jam drejtuar as kohe me shkresën e datës 29/10/2013, (shkresë sekrete) koleges time, ministres Kodheli, duke e informuar se nuk punon radarët”, është shprehur Tahiri gjatë seancës.
“Prokuroria më akuzon për raste të trafikimit në 2013, 2014, 2015. Ndërkohë që hetimet, dy hetimet kronkrete, ndaj Taulant Haxhirajt dhe Moisi Habiljat kanë nisur në 2016. Si ka mundësi që prokuroria të më akuzojë mua për sasi droge që janë kultivuar përpara se unë të merrja detyrën e ministrit”, ka deklaruar Tahiri, që më pas ka folur dhe për akuzën e favorizimit të Habilajve.
Ish-ministri ka pranuar vetëm që tu ketë shitur makinën e tij, Audi AA 003 GB, me të cilën Habilajt kanë kaluar kufirin teksa automjeti ishte akoma me letra në emër të ish-ministrit të Punëve të Brendshme.
“Si mundet që unë t’i dërgoja ata në procedim për sa kohë i favorizoja në trafikun e drogës?!”, ka thënë Tahiri, duke iu referuar procedimev të nisura për dy nga vëllezërit Habilaj.
Ndërkohë që prokurorët Arenc Çela, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara kanë menduar edhe për vuajtjen e dënimit, në rast se Tahiri dënohet me burg.
Ata kanë kërkuar që në rast dënimi, vuajtja e ish-ministrit Saimir Tahiri të bëhet në institucion të zakonshëm të vuajtjes së dënimit, dhe jo në burg të sigurisë së lartë.
Po ashtu ata kërkuan që lista e provave të mos asgjësohen, pasi janë të njëjta që mund të përdoren edhe kundër Sokol Boden, ish-drejtor i postës në Dhërmi dhe Gjergji Kohilën, ish-shefi i Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë.
Seanca e sotme për Tahirin pritet që të zgjasë deri në orët e vona të pasdites, dhe do të pasohet dhe nga dy ditë të tjera, një për seancën e mbrojtjes, dhe një tjetër për dhënien e vendimit final nga ana e Gjykatës.
Për të monitoruar seancën e sotme kanë qenë të pranishëm dhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-ve në vendin tonë, një seli kjo që ka këmbëngulur vazhdimisht për vënien përpara drejtësisë të peshqve të mëdhenj, dhe një i tillë do të quhet padyshim dhe Saimir Tahiri.
(E.K/Faxweb.al)