Deputeti socialist Erjon Braçe akuzon opozitën se me sulmet që po bën ndaj Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), po përpiqet të bllokojë procesin e Vettingut.
“Ç’punë ka politika me sistemin e drejtësisë? Ndaj të gjitha institucioneve ka një sulm të paimagjinueshëm. Në shkelje të rëndë të Kushtetutës, politika dhe ky sistem i kalbur drejtësie kanë pasur një aleancë shumë të fortë që kanë instaluar në Shqipëri kulturën e pandëshkueshmërisë. Dhe politika që po ndërhyn tani, duke paragjykuar pa nisur fare procesi i Vettingut, por me synimin e qartë për ta dështuar apo marrë nën kontroll procesin, po ndërhyn për të mbrojtur pikërisht këtë status quo. Nëse ka një garanci për Vetting-un, kjo garanci vjen nga ONM i parashikuar në Kushtetutë. Në funksion të asaj që është parashikuar në Kushtetutë, kanë ardhur në Shqipëri vëzhguesit e huaj, pesë gjyqtarë të cilët plotësojnë të gjitha kriteret e parashikuara në Kushtetutë. Ky operacion kryesohet dhe është në përgjegjësinë e Komisionit Europian. Këta janë garanci për procesin e Vettingut”, tha Braçe në Report Tv.
Ndër të tjera, Braçe përmendi edhe dy drejtorët të cilët dhanë dorëheqjen sot, drejtorin e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Alket Islami dhe Drejtorin e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Arben Seferi. Sipas deputetit, ish-kryeministri Berisha jo vetëm i ka sulmuar dhe paragjykuar, po edhe i ka “vrarë” ata.
“Hysenajn e njoh pak, ndërsa tjetrin s’e njoh fare. Po paragjykohen nga PD, u sulmuan shumë egër. Nga Sali Berisha nuk janë sulmuar, por nga Sali Berisha janë vrarë. Janë paragjykuar dhe është paragjykuar edhe procesi i Vettingut. Ne na intereson procesi i Vettingut. Dorëheqja e këtyre njerëzve i shërben në maksimum procesit të Vettingut dhe integritetit të këtij procesi. Dy zyrtarët që kanë dhënë dorëheqjen, kanë kontribuuar më shumë nga sa mund të kontribuonin për procesin e Vettingut. I kanë hequr çdo mundësi kësaj opozite për të anatemuar Vettingun”, tha Braçe. (D.D/Shuplaka)