Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka dalë në një deklaratë për mediat në lidhje me vendimet dhe masat e marra në kushtety e situatës së vështirë që është krijuar për shkak të pandemisë së koronavirusit, ku deklaroi se 2 miliardë euro është niveli i kredive të shtyra deri më tani.
Kjo pas vendimit të BSH më 17 mars për shtyrjen e pagesës së kësteve të kredisë për të gjithë bizneset dhe individët që do të përballen me vështirësi financiare për shkak të pandemisë.
Sejko tha se po analizohet situata dhe mund të ketë një shtyrje tjetër të këtij afati, për një kategori biznesesh.
“Ne po shikojmë situatën financiare të bankave dhe bizneseve, jemi duke parë shifrat, ndikimi që ka në sektor shtyrja e kësteve dhe mundësia e një reagimi nga Banka e Shqipërisë. Po marrim në konsideratë një reagim të dytë për të lehtësuar bankat në raport me ristrukturimin e kredive, mund t’u lehtësojmë, një ristrukturim më afatgjatë, por bazuar te cikli i bizneseve. P.sh turizmi një sektor më i goditur mund të ketë nevojë për një ristrukturim apo i fasonëve”, pohon guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Guvernatori tha se nëse situata vijon të rëndohet një masë tjetër që do të ndërmerret nga Banka e Shqipërisë është edhe ulja e mëtejshme e normës bazë të interesit.
Aktualisht norma bazë e interesit është 0.5% për uljes më 27 mars nga 1% që ishte. Ndërkohë guvernatori shtoi se në varësi të situatës mund të përdoren edhe instrumente të tjerë të kontigjencës, për të furnizuar ekonominë me likuiditet.
“Rreziqet e kahut të poshtëm burojnë veçanërisht nga:
– zgjatja e mundshme e pandemisë përtej tremujorit të dytë;
– krijimi i problemeve në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, në formën e përkeqësimit të ofertës së kredisë bankare, apo në formën e luhatjeve të forta të treguesve të tjerë të tregut financiar.
“Në skenarin pozitiv, atë të një reduktimi gradual të masave të distancimit social gjatë tremujorit të dytë, aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ gjatë dy tremujorëve në vijim, dhe t’i kthehet rritjes në vitin 2021”, tha gurvernatori.
Sa i përket garancisë sovrane mbi bizneset, Sjeko tha se deri më tani janë dhënë 1 miliardë lekë kredi për të paguar punonjësit e tyre.
“Garancia sovrane për biznesin akoma nuk është përfunduar, normalisht do të shikojmë efektin kur të prezantohet, për momentin bankat po operojnë me garancinë e parë sovrane për pagat e punonjësve. Kemi rreth 70 raste të aprovuara, 8.5 mln euro, por ka edhe 300 aplikime të tjera në proces. Është një garanci po elaborohet në sistemin bankar. E dyta do të shikohet kur të bëhet e vlefshme, edhe ne më pas do të kemi një ide më të qartë.
“Masat e distancimit social dhe rritja e pasigurisë kanë sjellë një ngadalësim të përgjithshëm të thuajse gjithë komponentëve të kërkesës agregate: eksportit të mallrave e shërbimeve, konsumit familjar dhe investimeve. Paralelisht me to, mbyllja e përkohshme e disa aktiviteteve të prodhimit e shërbimit, ka sjellë një rënie të mëtejshme të prodhimit.
Kjo goditje e dyfishtë, kërkese dhe oferte, do të pasqyrohet në rënie të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2020. Më tej, rënia e prodhimit pritet të shoqërohet me rënie të punësimit, rritje të papunësisë, rënie të të ardhurave familjare dhe vështirësi financiare për bizneset. Dinamika afatmesme dhe afatgjatë e zhvillimit ekonomik, në Shqipëri sikundër dhe në botë, do të varet nga kohëzgjatja e pandemisë”, tha Sejko në lidhje me masat e ndërmarra deri më tani për të parandaluar përhapjen e pandemisë që sipas guvernatorit, kanë sjellë ulje të konsumit, të eksporteve, të prodhimit dhe do të kemi rritje të papunësisë.
Sejko tha se recesioni ekonomik pritet të jetë aq sa është parashikuar nga FMN dhe BB, mbi 5% ndërkohë që ndryshe është shprehur kryeministri Rama paraditen e sotme ku tha se ka parashikime që mund të arrijë deri në 10%.