Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është nisur drejt Arabisë Saudite për bisedime rajonale që mbahen të hënën dhe të martën, në lidhje me ndihmat humanitare për Gazën, të ardhmen e territoreve palestineze pas përfundimit të luftës, si dhe stabilitetin dhe sigurinë në Lindjen e Mesme.
“Sekretari i shtetit do të diskutojë përpjekjet në vazhdim për arritjen e një armëpushimi në Gazë që do të siguronte lirimin e pengjeve dhe përse Hamasi është bërë një pengesë për popullin palestinez dhe për një armëpushim”, tha Departamenti amerikan i Shtetit. Sekretari Blinken do të marrë pjesë në takimin në Riad të ministerialit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, një aleancë rajonale e vendeve arabe të ndodhura përqark Gjirit Persik.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby i tha të dielën emisionit “This Week” të kanalit televiziv ABC, se Shtetet e Bashkuara po punojnë për arritjen e një armëpushimi gjashtëjavor për luftën gati shtatëmujore në Gazë, mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit. Bisedimet e armëpushimit kanë vazhduar prej muajsh dhe megjithëse ka sinjale të herëpashershme se arritja e një marrëveshjeje mund të jetë e afërt, zoti Kirby nuk dha ndonjë tregues për përparime të reja në diskutime.
Ai tha se Izraeli i ka siguruar zyrtarët amerikanë se nuk do të dërgojë forca tokësore në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pa dëgjuar plotësisht shqetësimet e Shteteve të Bashkuara se një sulm i tillë do të rrezikonte jetët e mbi 1 milion palestinezëve që janë strehuar atje.
Zoti Kirby tha se një port i përkohshëm që po ndërtohet në Detin Mesdhe në bregun e Gazës mund të përfundohet në dy apo tre javë dhe do të mundësojë transportimin e ndihmave më të mëdha humanitare drejt këtij territori të ngushtë, për të ndihmuar palestinezët./VOA