Fotografia që po botojmë, është e Lali Erit, shumë vite më parë, në kulmin e ëndrrave të adoleshencës.
Tregojnë se asokohe, një plak i motshëm dhe i ditur, i kishte thënë:
– Nëse ti djalë do të bësh përpara dhe të ngjitesh lart, duhet që të shesësh fiq sa të mundesh. Fiku është pemë e dashur dhe po e shite të bën të zot, të bën të aftë.
– Po mirë, – i kishte thënë, Erioni i vogël, – po për t’u ngjitur lart, për të bërë si i thonë fjalës, karrierë, çfarë duhet të bësh?
– Është pak e vështirë djalë. Që të arrish këtë gjë kaq të madhe, duhet të gjesh dhe të hipësh mbi një kalë të kuq, me krifë po të kuqe dhe me hundë të bardhë. Po e gjete këtë kalë, gjithë jeta jote do të jetë përjetësisht e ndritur, përjetësisht majë kalit…
Plaku i mirë dhe i urtë, kishte vdekur pas një viti dhe për çudi, siç tregon vetë Lali Eri, ditën e varrimit i kishte dalë përpara një kalë i kuq me hundë të bardhë. Pa pikë hezitimi, duke respektuar këshillën e plakut, Lali Eri i djeshëm ishte hedhur mbi kalin e kuq.
Sot, pra shumë vjet më pas, ashtu siç i kishte thënë plaku i urtë, Lali Eri i ka hipur vërtet një kali të madh, duke fluturuar në lartësi që as i kishte imagjinuar kurrë.
Burimi: TPZ