Me 20 vite burg në total janë dënuar nga Gjykata e Tiranës dy persona pasi akuzohen për shfrytëzimin e disa vajzave si prostituta luksi në Tiranë.
Duhet të theksojmë që “shërbimet e seksit” për klientët e ndryshëm ofroheshin në hotele në zona “VIP” të kryeqytetit në shuma që varionin nga 100 deri në 300 euro.
Të dy të arrestuarit janë akuzuar për “shfrytëzimit të prostitucionit”, në bashkëpunim, për të pandehurit Nik Gjonikaj dhe Besnik Manka.
Sipas një portali online të akuzuarit u dënuan nga gjykata përkatësisht me 11 dhe 9 vjet heqje lirie. Në të njëjtin gjykim, u fajësua për “prostitucion” e pandehura Aureta B., një nga vajzat e shfrytëzuara dhe për akuzën e “moskallëzimit të krimit” i pandehuri Bledian N, i cili ka shërbyer si taksist për lëvizjen e vajzave në destinacione. Ata u dënuan me nga 6 muaj heqje lirie.
Detaje:
Të katër të pandehurit fituan uljen e një të tretës së këtij dënimi, për shkak se çështja u gjykua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, ndërsa për Aureta B. dhe Bledian N. gjykata vendosi përfundimisht lënien e tyre në Shërbimin e Provës për një periudhë 2- vjeçare.
Të pandehurit e kësaj dosjeje u gjykuan në një proces të veçuar nga tre të bashkëpandehurit e tyre, Domenika D., M. N. dhe Hajredin S. Referuar vendimit të gjykatës, përveç të pandehurit Nik Gjonikaj, që ka mbajtur qëndrim mohues, të pandehurit e tjerë kanë pranuar akuzën. Ata janë “zbërthyer” para prokurorëve duke rrëfyer rolet dhe funksionet e gjithsecilit në rrjetin e prostitucionit të luksit në kryeqytet.
(J.V/Shuplaka)