Pas sekuestrimit të 12 makinave luksoze e dy motorëve javës së kaluar, Policia e Tiranës ka identifikuar një prej autorëve të dyshuar për trafikim mjetesh motorike.
Sipas policisë antitrafikëve kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë për 31-vjeçarin me iniciale A.L.
Ndërkohë ky person dyshohet për trafikimin e dy motorëve që u bllokuan nga Policia gjatë operacionit të koduar “Summer 2017”, konkretisht të dy motorëve të modelit “Aprilia Scarabeo”.
Ndërsa personat që kanë trafikuar makinat luksoze dhe 3 motorët e tjerë, që u sekuestruan gjatë javës së kaluar, ende nuk janë identifikuar.
Policia ka bërë të ditur sese ka finalizuar operacionin e koduar “Summer 2017”, duke sekuestruar 12 automjete luksoze dhe 5 motorë të dyshuara të trafikuara, duke proceduar penalisht 17 persona.
Po ashtu gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 12 automjete luksoze dhe 5 motomjete të dyshuara të trafikuara dhe me numër shasie të falsifikuar.
Pas ndryshimit të numrit të shasisë, këto automjete ishin pajisur me targa të rregullta. Mësohet se makinat e sekuestruara janë të modeleve të fundit të “Mercedez”, “Audi”, “BMVV”, “Range Rover” dhe “Toyota”. Gjithashtu, janë bllokuar edhe dy motorë “Yamaha T-Max”, një “Suzuki GSXR 750” dhe dy “Aprilia Scarabeo”.
Gjithashtu mësohet se nga verifikimi me anë të sistemit ASF2 të Interpolit, 17 prej mjeteve rezultuan të parregullta, pasi dyshohet të jenë të vjedhura në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
(S.SH/Shuplaka)