Një sasi prej 1.5 ton drogë është sekuestruar orët e para të mëngjesit të sotëm në plazhin e Zvërnecit, ndërkohë që autorët janë ende në kërkim. “Shuplaka” mësoi nga Policia e Vlorës dyshimet se droga do të trafikohej në Itali.
Operacioni nisi rreth orës 03:30, menjëherë pas konstatimit në det të një mjeti lundrues që lëvizi brenda gjirit të Vlorës.
Gjatë kontrollit të ushtruar, Policia Kufitare gjeti dhe sekuestroi sasinë prej 1.5 ton drogë e llojit “Cannabis sativa”, e cila u gjet e fshehur në disa mjete të braktisura në pyll. Menjëherë sapo kanë pikasur policinë, trafikantët kanë braktisur katër automjetet dhe janë fshehur në pyll.
Lënda e konsiderueshme narkotike u sekuestrua pas kontrolleve të ushtruara në një kamionçinë “IVECO” me targë AH 117 AB, ku u gjetën disa pako drogë të mbështjella me natriban. Policia gjeti gjithashtu të braktisura në pyll një fuoristradë “Toyota” dhe në një mjet “Land Rover”.
Po vijon kontrolli nga toka për kapjen e trafikantëve.
Informacioni paraprak i Policisë së Vlorës për portalin “Shuplaka”
Sekuestrohet nga policia një sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike në plazhin e Zvërnecit.
Në plazhin midis Petroliferës dhe Triportit është bërë e mundur bllokimi i një kamioni të markës “Iveco” me targë AH 117 AB, brenda së cilës u konstatuan disa pako të mbështjella me qese plastike dhe natriban, ku dyshohet se përmbajnë lëndë narkotike si Cannabis Sattiva.
Në afërsi të këtij kamioni Policia ka konstatuar një automjet Fuoristradë Toyota, ndërsa në det është parë një mjet lundrues gomone, duke lëvizur brenda gjirit të Vlorës, i cili dyshohet se kishte për qëllim trafikimin e saj, drejt shtetit italian.
Nga kontrolli i ushtruar në pyllin e kësaj zone, është kontatuar një karel-transportues mjetesh lundruese dhe rreth 100 m larg këtij kareli është gjetur i braktisur një automjet tjetër “Land Rover”.
Seksioni i Hetimit të Narkotikëve është duke kryer veprimet për peshimin e lëndës narkotike. Vazhdon operacioni i përbashkët midis Policisë Kufitare dhe Policisë Vendore, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
(XH.A/SHUPLAKA)