Policia Kufitare në Qafë-Thanë ka goditur një tjetër tentativë të “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Janë sekuestruar 117 fara të dyshuara si narkotike Cannabis Sativa.
Si pasojë është arrestuar në flagrancë transportuesja, një shtetase franceze. Më datë 14.06.2017, në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës, në dalje të Republikës së Shqipërisë, është paraqitur shtetasja franceze: Marion Alain Anastasia Coudair 21 vjeçe, banuese në qytetin Ecully-Francë.
Gjatë kontrollit të detajuar që shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Doganën kanë ushtruar, konkretisht në çantën personale të kësaj të fundit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale : 117 fara të dyshuara si narkotike të llojit Cannabis Sativa. Veprimet proceduriale të rastit u kryen nga Sektori për narkotikët e trafikun e paligjshëm në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë.
Kjo shtetase u arrestua në kushtet e flagrancës dhe materialet i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve, mbetur në tentativë” parashikuar nga nenet 283/a e 22 të Kodit Penal.
(M.D/Shuplaka)