Policia e Shtetit po vijon me intensitet zbatimin e planit të posaçëm të masave për sezonin turistik veror 2025, me fokus garantimin e sigurisë dhe rendit publik në zonat turistike dhe urbane, parandalimin e ndotjes akustike e mjedisore dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të kundërligjshme.
Prej dy javësh, strukturat policore në të gjithë vendin janë të angazhuara në këtë operacion gjithëpërfshirës, që po zhvillohet në të gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil.
Falë bashkëpunimit të Njësisë Policore Detare me Policinë Kufitare dhe patrullat e rendit, janë evidentuar 16 raste të shkeljes së perimetrit të sigurisë në plazhe, nga të cilat 5 janë denoncuar nga qytetarët në rrjetet sociale. Janë bllokuar 16 mjete lundruese (13 Jet Ski dhe 3 skafe) dhe drejtuesit janë ndëshkuar me masë administrative prej 100 000 lekë secili.
Në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, Policia e Shtetit ka sekuestruar 1230 komplete me çadra dhe shezlongë të vendosura në mënyrë të paligjshme, në zonën nga Durrësi në Sarandë. Për këto raste janë proceduar penalisht 27 shtetas, për zënien e paligjshme të plazheve publike.
Janë liruar gjithsej 9 hapësira publike, kryesisht të përdorura për parkim kundrejt fitimit, nga të cilat 8 në Vlorë dhe 1 në Shkodër. Për këto raste janë proceduar penalisht 14 shtetas.
Policia Rrugore, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, po vijon lirimin e trotuareve dhe vijave të bardha të zëna nga automjete të parkuara në kundërshtim me ligjin. Vetëm në Tiranë, Durrës dhe Vlorë janë bllokuar 98 automjete dhe 34 motomjete, të cilat janë transportuar në pikat përkatëse të bllokimit me karrotrec.
Policia ka proceduar penalisht 15 shtetas për tejkalim të kufijve të lejuar të zhurmës në zonat turistike. Janë bllokuar gjithashtu 72 automjete dhe motomjete që gjeneronin zhurmë të lartë, kryesisht në Tiranë dhe Vlorë.
Sa i përket ndotjes së mjedisit, janë evidentuar 11 raste në qytete si Vlorë, Tiranë, Lushnjë dhe Shkodër. Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar 9 të tjerë për ndotje të tokës apo ujërave.
Policia e Shtetit u bën thirrje pronarëve dhe administratorëve të bizneseve në zonat turistike që të respektojnë ligjin, të mos pushtojnë hapësirat publike dhe të kufizojnë zhurmat brenda normave të lejuara, përndryshe do të përballen me masa administrative dhe penale.
Drejtuesit e automjeteve paralajmërohen të mos parkojnë në trotuare apo vija të bardha, pasi çdo shkelje do të ndëshkohet me bllokim dhe transport të mjetit.
Policia e Shtetit inkurajon qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.