Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë do të shqyrtonte sot padinë e Partisë Demokratike, e cila kërkon që ligji “Për Akademinë e Shkencave” të shpallet i papajtueshëm me Kushtetutën dhe të shfuqizohet. Sidoqoftë, seanca u shty pasi gjatë zhvillimit të procesit u njoftua se një gjyqtar ishte sëmurë, duke pamundësuar kështu vazhdimin e shqyrtimit të çështjes.
Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa tha se vonesa ishte e papritur dhe e çuditshme. Sipas saj, një njoftim i tillë duhet të ishte bërë më herët, duke shtuar se “ky lloj funksionimi i gjykatës reflekton probleme të thella në procedurat dhe arsyetimet e saj”.
Zhupa theksoi se shpreson që kjo vonesë të mos ndikojë negativisht në procesin e shqyrtimit të çështjes dhe që seanca e radhës të zhvillohet me praninë e të gjithë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pavarësisht kësaj, ekipi i PD-së ishte i përgatitur për të paraqitur argumentet dhe provat që mbështesin kërkesën për shpalljen e ligjit të Akademisë së Shkencave si antikushtetues. Kjo çështje ka shkaktuar një debat të gjerë, pasi ligji kundërshtohet për shkelje të parimit të barazisë para ligjit.
“Surpriza për ne, por gjithashtu edhe për ju që keni ndjekur për vite gjykatën kushtetuese, është se, pasi u sistemuam në sallën e gjyqit për të filluar procesin gjyqësor, na lajmëruan që një gjyqtar është sëmurë. Nuk dimë arsyet dhe as cili gjyqtar, dhe për këtë arsye do të duhet të anulonim seancën. Ne u lajmëruam në atë kohë, është pak e çuditshme, sepse besoj gjyqtari duhet të kishte lajmëruar që në mëngjes minimalisht, apo një ditë përpara, por e shikoj se kjo gjykatë kushtetuese po funksionon në një mënyrë të sëmurë, si për procedurat ashtu edhe për arsyetimet që jep në shumë vendime. Uroj që të mos jetë fati edhe i kësaj çështjeje. Ajo që na u la në fakt është seanca e radhës, me datë 28 janar në orën 10, po në gjykatën kushtetuese. Uroj që të jetë kuorumi, të jenë 8 anëtarët e gjykatës kushtetuese të pranishëm dhe të zhvillojmë seancën e parë.
Ne sot ishim përgatitur për të bërë të gjitha parashtrimet tona, kishim marrë të gjitha provat, të cilat janë shkresore dokumentare, por edhe emailet zyrtare që janë shkëmbyer gjatë procedurave, për të argumentuar diçka themelore: ligji i Akademisë së Shkencave është antikushtetues.
Së pari, është antikushtetues në substancë, pra vetë ligji, pavarësisht procedurës, edhe nëse do të ishte ndjekur një procedurë e rregullt, sepse ligji shkel themelin e kushtetutës. Kushtetuta thotë që të gjithë shtetasit janë të barabartë përpara ligjit, për rrjedhojë edhe të gjithë akademikët janë të barabartë përpara ligjit.
Risia që krijonte ky ligj me porosi ishte fakti që 75-vjeçarët ktheheshin akademikë emeritus, të cilët nuk drejtojnë dot, nuk mbikëqyrin dot, nuk quhen anëtarë të akademisë në mënyrë të rregullt dhe pjesë e kuorumit.
Mund të votojnë ose mund të mos votojnë, por vetëm njëri prej tyre, një 75-vjeçar emeritus mund të jetë kryetar, dhe ky është Skënder Gjinushi, i cili mund të drejtojë, mund të firmosë, mund të mbikëqyrë, pra të ketë kompetenca të ndryshme nga çdo akademik tjetër emeritus”, u shpreh Zhupa.