Pothuajse më shumë se 5631 studentë do të hyjnë për herë të parë në auditor, Senati Akademik i Universitetit të Tiranës, ka miratuar vetëm pak ditë më parë tarifat e reja për këtë vit akademik.
Tarifat për 6 degët të fakulteteve të UT-së, si për ata studentë që kanë programin për herë të parë dhë ata që kanë programin e dytë të studimit, tarifa parashikohet të jetë e njëjtë deri në përfundim të studimeve. Përjashtim bën Fakulteti i Drejtësisë, pasi ata që do të pranohen në Fakultetin e Juridiku do të paguajnë për tri vitet e para tarifën e bachelor-it dhe në dy vitet e tjera shumën e masterit.
Tarifat
Në bazë të tabelës me çmimin që duhet të paguajnë studentët e rinj për t’u shkolluar në një nga profilet në UT, vlerën më të ulët e kanë gjuhët e huaja dhe degët e shkencave të natyrës, me një vlerë prej 25 mijë lekësh. Ndërsa tarifën më të lartë e kanë fakulteti i Shkencave Sociale dhe ai i Drejtësisë, 40 mijë lekë për secilin profil. Fakulteti i Ekonomisë për të gjitha programet e studimit përfshi edhe filialin e Sarandës, tarifën e shkollimit për vitin e ri akademik 2016- 2017 do ta ketë 35.000 lekë, ndërsa për pesë degët te Histori-Filologjia do të paguhet një çmim prej 30 mijë lekësh.
Ata që dëshirojnë të ndjekin një program të dytë studimi i nënshtrohen një pagese disa fish më të lartë se ajo e studentëve që ulen për herë të parë në auditorë. Paradoksalisht Juridiku, ende i shumëkërkuar, si program i dytë studimi ka tarifën më të ulët, krahasuar me degët e tjera. Vetëm 63 mijë e 341 lekë ose 23 mijë më shumë se ata që studiojnë këtë degë për herë të parë. Po ashtu, profilet e Ekonomikut ofrohen me dyfishin e tarifës fillestare, 80 mijë lekë. Ndërsa, për një diplomë të dytë në një nga profilet që ofron fakulteti i Shkencave të Natyrës duhet të paguash 203,690 lekë.
Të gjitha tarifat janë miratuar me kohë nga senati dhe pritet të vulosen nga Ministria e Arsimit. Sipas ligjit të arsimit të lartë, senatet akademike votojnë tarifat e reja pasi Këshilli i Ministrave të dalë me një vendim, ku të përcaktojë çmimet tavan dhe dysheme për çdo profil.
Duke qenë se s’ka ende një VKM, kjo procedurë duket se është bërë fakt i kryer për shkak se nuk ka pasur lëvizje të tarifave edhe këtë vit. Në të njëjtën linjë do të veprojnë edhe institucionet e tjera të arsimit të lartë. Të paktën kështu kanë deklaruar rektorët e universiteteve.
(S.SH/Shuplaka)
IT