Senatori veteran amerikan John McCain në një artikull për prestigjiozën “Washington Post”, kritikon politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me rajonin e Ballkanit.
Në shkrimin me titull “Ballkani po nxehet sërish dhe Washigton-i nuk shihet askund”, McCain flet për bojkotin që opozita shqiptare po i bën parlamentit dhe vendimin e saj për të mos marrë pjesë në zgjedhje.
“Tensionet politike janë në rritje. Maqedonia është në mes të një krize politike. Partia opozitare e Shqipërisë ka bojkotuar parlamentin që nga shkurti.”, shkruan McCain në analizën e tij të gjatë ku përshkruan turin e tij në Ballkan, ku ka shkelur edhe në Shqipëri.
Senatori ndalet më shumë në shtetet e tjera të Ballkanit, ndërkohë që Shqipërinë e përmend vetëm për bojkotin e Parlamendit si edhe për ndeshjen në Serbi, ku shqiptarët ngritën dronin me simbolet kombëtare, që shkaktoi mjaft trazira në Beograd.
“Vetëm vitin e kaluar, 19 të dyshuar u arrestuan në Kosovë në një komplot të Shtetit Islamik për të sulmuar një ndeshje futbolli midis Izraelit dhe Shqipërisë.”, shkruan McCain.
Senatori ndan shqetësimin e tij për dy probleme të mëdha të rajonit, që janë terrorizmi islamik dhe ndikimin rus dhe shpreh mendimin se SHBA duhet të bëjë diçka lidhur me këtë.
“Së pari, Shtetet e Bashkuara duhet të shfaqen. Një kryeministër i një vendi europian juglindor më tha, në asnjë rajon tjetër të botës fjalët e liderëve amerikanë nuk kanë peshë më të madhe ose kanë një shans më të madh për të nxitur një veprim kuptimplotë drejt progresit. Kjo është arsyeja pse angazhimi i vazhdueshëm dhe vizitat më të shpeshta në rajon nga zyrtarët e lartë të SHBA-ve në rajon janë kaq të rëndësishme.
Së dyti, Shtetet e Bashkuara duhet të japin mbështetjen e tyre për kombet e Evropës Juglindore në ndjekjen e tyre për integrimin në komunitetin Euro-Atlantik nëpërmjet institucioneve si NATO dhe Bashkimi Evropian. Është ky proces i integrimit që ofron shpresën më të madhe për paqen dhe prosperitetin në rajon. Kjo do të thotë që Shtetet e Bashkuara duhet të ofrojnë një mbështetje të fuqishme për programet e SHBA-së që ndihmojnë në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, hapa thelbësorë në rrugën e integrimit euroatlantik. Ne gjithashtu duhet të inkurajojmë Bashkimin Evropian, pavarësisht nga sfidat e tij, për të mbajtur derën hapur për kombet e Evropës Juglindore që ende shpresojnë të bashkohen.
Së fundi, Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë sipas të drejtës së çdo kombi në Evropën Juglindore për të zgjedhur të ardhmen e vet pa ndërhyrje të jashtme, qofshin ato të një Rusie agresive që kërkon të reduktojë kufijtë e Europës përmes dhunës ose terroristëve që kërkojnë të shkatërrojnë Qytetërimit tonë të përbashkët. Zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit të sigurisë me aleatët dhe partnerët tanë rajonalë është thelbësore.”, arsyeton McCain. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post