Kryeministri belg Charles Michel ka zhvilluar një tur takimesh në Ballkan. Fillimisht Michel vizitoi Tiranën ku u takua me Kryeministrin Edi Rama.
Në konferencën e përbashkët mes tyre, më shumë spikati frëngjishtja e Kryeministrit shqiptar sesa mesazhet që Michel dha për dritën jeshile që BE pritet t’i japë vendit tonë në qershor.
Kryeministri belg tha se vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë është në proces shqyrtimi, ndërkohë që në konferencën e zhvilluar në Beograd, Michel ishte i qartë.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka thënë madje se “Michel ka sjellë disa propozime të reja që do të bëhen publike kur të integrohen si pjesë e politikave të BE-së”.
Shefi i qeverisë belge ka thënë se Serbia duhet të jetë një ndër prioritet e Bashkimit Europian.
“Serbia duhet të jetë një ndër prioritetet e BE-së. Ju jeni një faktor kyç sepse ju keni rëndësi rajonale. Ju jeni jashtëzakonisht të rëndësishëm për Europën dhe të ardhmen e BE-së,”-citojnë mediat serbe Kryeministrin belg.
Mjafton një citim i shkurtër për të krahasuar mesazhet që u përcollën në Tiranë nga ato që u dhanë në Beograd, e për të kuptuar se kush e zotëron postin e “faktorit kyç” në Ballkan.
Kryeministri belg, Charles Michel, në Tiranë tha se vendi i tij nuk ka ende një vendim zyrtar sa i takon qëndrimit që do të mbajë në muajin qershor sa i takon rekomandimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë.
“Nuk mund të them tani një vendim zyrtar, Belgjika do të shprehet në qershor”, tha Michel në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama.
(F.G/Faxweb.al)