Autoritetet serbe kanë lëshuar fletë-arrest të shtunën për një pjesëtar të Policisë së Kosovës, në lidhje me një incident me maturantë një ditë më parë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç.
Daçiç tha në një njoftim se “polici i Kosovës Dylot Brahimi do të arrestohet sapo të jetë i qasshëm për policinë serbe, pa parashkrim, sa herë që kjo të jetë e mundur”.
Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë, pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.
Incidenti në Mitrovicën e Veriut më 23 maj shkaktoi reagime të shumta kryesisht për shkak të mënyrës se si i ishte përgjigjur atij një pjesëtar i Policisë së Kosovës që ndodhej në afërsi.
Polici është kritikuar se veproi në mënyrë “selektive” dhe përdori “forcë të tepruar” kur e ndali një maturant serb të Kosovës gjatë një feste të maturantëve në Mitrovicën e Veriut për shkak se, siç thuhet, ai i kishte provokuar njerëzit në një kafene aty pranë.