Ministria e Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se Serbia i ka refuzuar kërkesën ministrit Xhelal Sveçla për të vizituar Luginën e Preshevës.
Ministria thekson se vizita e Sveçlës ishte paraparë të zhvillohej më 23 dhe 24 dhjetor.
“Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, më datën 23 dhe 24 dhjetor 2024 ka paralajmëruar vizitë zyrtare njëditore në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc. Në kuadër të kësaj vizite, ministri Sveçla kishte paraparë takime me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës (KKSH), duke filluar me përfaqësuesit e Zyrës së KKSH-së në Medvegjë, për të vazhduar në Bujanoc, në selinë e KKSH-së, si dhe më pas në Preshevë, në selinë e degës së KKSH-së për këtë komunë.
Përkundër faktit që janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara për vizita të tilla zyrtare të përfaqësuesve qeveritarë dhe shtetërorë të Republikës së Kosovës në Serbi sipas Marrëveshjes së Brukselit për Vizita Zyrtare, Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën për lejimin e kësaj vizite”, thuhet në njoftim.
MPJD shtoi se Serbia si pretekst për refuzim ka theksuar qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla, të cilat, sipas Qeverisë së Serbisë, janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit.
“Qeveria e Serbisë gjatë këtyre dy viteve të fundit ka refuzuar rregullisht vizitat e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Republikës së Kosovës, posaçërisht kur bëhet fjalë për vizitat në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Përveç vizitave të ministrit Sveçla, janë refuzuar rregullisht edhe vizitat e ministrave të tjerë të kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës, e fundit nga të cilat ka qenë vizita e ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, e paralajmëruar ditë më parë, më 19 dhjetor 2024”, thuhet tutje në njoftim.