“Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia do të futen në BE. Seriozisht? Votoni Brexit”, është një nga reklamat e shpërndara nga shoqatat e britanikëve që mbështesnin largimin nga BE. “Vote Leave”, ka shpenzuar më shumë se 2.7 milionë sterlina për reklama që synonte grupe specifike në Facebook, gjë që i ka ndihmuar të fitojnë referendumin e vitit 2016 për të dalë nga BE-ja.
Facebook i ka bërë reklamat publike dhe i ka dërguar te komisioni parlamentar britanik që po heton për lajme të rreme, “Fake News”. Kjo do të thotë se reklamat tani mund të shihen nga kushdo, jo vetëm nga përdoruesit e Facebook që kishin përzgjedhur mbështetësit e Brexit.
Reklamat e krijuara nga kompania kanadeze “Aggregate AIQ” përqendroheshin mbi çështje specifike, si emigrimi apo të drejtat e kafshëve, dhe përpiqeshin të ngacmonin telat më delikate të një grupi të caktuar njerëzish, duke i zgjedhur sipas moshës, sipas vendit ku jetonin dhe sipas të dhënave të tjera personale, të cilat i kanë marrë nga rrjetet shoqërore e nga burime të ndryshme.
Dokumenti me 120 faqe duket se mbështet gjetjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që javën e shkuar vendosi se “Vote Leave” ka shkelur ligjin zgjedhor, në bashkëpunim me një tjetër fushatë, “BeLeave”, gjë që është mohuar nga të dyja grupet.
Shumë prej reklamave të “BeLeave” ishin dërguar nga llogaria e Facebook të “Vote Leave”, si kjo që shihni në foton më poshtë.
Facebook ka postuar rreth 1433 reklama të ndryshme, të gjitha me të njëjtën temë. Megjithatë, nuk është gjithnjë e qartë që reklamat vijnë nga një fushatë pro-Brexit. Ja një reklamë që tërhiqte dashamirësit e kafshëve.
Kjo që synon dashamirësit e çajit, është më pro-Brexit
Për çështjen e tyre janë përfshirë edhe arinjtë polarë.
Reklamat që kishte postuar Facebook janë parë më shumë se 169 milionë herë në total.
Mesazhi synonte më shumë votuesit e rinj, duke u premtuar një të ardhme më të mirë nëse Britania nuk do të lejonte që rregullat e BE-së t’i mbanin prapa, në të shkuarën. Ata e akuzonin Brukselin se kishte vendosur rregulla të tepruara për kompanitë si Uber, si dhe se kishin imponuar kufizime në transmetimin e të të dhënave në internet.
Rezultatet e Facebook tregojnë se pamjet më të klikuara ishin prodhuar nga BeLeave. Kjo foto është shfaqur nëpër ekranet e personave të shënjestruar për më shumë se 5 milionë herë.
Votuesve më të moshuar u dërgoheshin reklama se sa parà po i dërgonte Britania BE-së. Më shumë se 140 reklama i referoheshin deklaratës aq shumë të diskutueshme, që Britania i dërgon BE-së 350 milionë sterlina në javë, të cilat mund të ishin përdorur për Shërbimin Shëndetësor.
350 milionë sterlinat përmendeshin edhe për ndërtime shkollash apo për infrastrukturë kundër përmbytjeve.
“Vote Leave” u angazhua shumë kur Presidenti amerikan, Barak Obama, ndërhyri para fushatës së referendumit dhe tha që Britania do të lihej në fund të rreshtit kur të bënin marrëveshje tregtare, nëse dilnin nga BE-ja.
Kjo reklamë synonte më shumë moshat e mëdha, 25% të grave mbi 65 vjeç, dhe 23% të burrave të së njëjtës grupmoshë, të cilat shënjestroheshin nga një tjetër version i reklamës. Në shumë reklama ndryshohej vetëm teksti shoqërues, dhe përdorej një reklamë e mëparshme, e ngjashme.
Një tjetër temë e zakonshme ishte emigrimi, me një reklamë që dukej se sugjeronte se e gjithë popullsia e Turqisë ishte nisur drejt Britanisë së Madhe.
Boris Johnson ishte politikani i vetëm që u paraqit në reklama.
Si dhe reklama me Xheremi Korbin, e cila synonte votuesit e rinj, dhe shoqërohej nga një thënie e vjetër e udhëheqësit të laburistëve: “BE u heq parlamenteve kombëtare pushtetin për të vendosur politika ekonomike, dhe ua jep bankierëve që nuk i ka votuar njeri.”
Partia Demokratike e Sindikalistëve në Irlandën e Veriut shpenzoi 23,750 sterlina me kompaninë AIQ, për reklama pro-Brexit në Facebook. Vetëm 16 prej reklamave iu shfaqën përdoruesve në Irlandë, sipas të dhënave të Facebook. 24 të tjerat u panë kryesisht nga njerëz në Angli.
24 reklamat, të cilat janë parë të paktën 1.96 milionë herë, u postuan të gjitha në tre ditët e fundit para referendumit.
Në fillim të fushatës, “Vote Leave” vuri në lëvizje një metodë të veçantë për të mbledhur të dhëna personale, nëpërmjet një konkursi. Konkursi bënte thirrje se kush gjente rezultatet e 51 ndeshjeve të Europianit, do të fitonte 50 milionë sterlina.
Shanset për ta fituar atë konkurs ishin 1 në 5,000,000,000,000,000,000,000, dhe Vote Leave e financoi me një policë sigurimesh.
Një nga anëtarët e Vote Leave e quajti këtë metodë një risì që do të ndryshonte rregullat e lojës, sepse mund të mblidhte të dhënat e mijëra votuesve, shumë prej të cilëve mund të mos ishin fare të interesuar për referendumin.
Fushata rekrutoi edhe ish lojtarin e kriketit, Sër Ian Bothman, që të reklamonte konkursin.
Një grup tjetër, i quajtur Veteranët për Britaninë, e kishte refuzuar kalimin e këtyre reklamave.
Komisioni i Medias Kulturore dhe Sportive në Britani pritet të bëjë publike rezultatet e para të hetimit për shpërndarje lajmesh të rreme. Ata kanë marrë prova nga Christopher Wylie, demaskuesi që denoncoi metodat e përdorura për mbledhjen e të dhënave personale, si dhe nga shefa të kompanive të tjera teknologjike e drejtues të fushatës “Leave EU”./TCH