Përfaqësuesit e Shoqërisë Civile dhe aktivistët që për muaj me radhë kanë protestuar kundër projektit “Veliera” në Durrës, ende nuk janë dorëzuar.
Vetëm para pak minutash, në Durrës ka nisur protesta e radhës e aktivistëve, të vendosur për ta çuar deri në fund kauzën e tyre.
Me pankarta në duar ku shkruhet “Nuk e duam Velen me Beton, e duam me det në horizont” apo “E Prekët Dyrrahun-burg” si edhe “Mos Betonizoni Arkeologjinë”, ata kanë nisur marshimin e tyre drejt Torrës.
Kujtojmë se protestat kanë nisur pas shtatë shkurtit të këtij viti, kur punonjësit e ndërtimit që punonin pranë Torrës Veneciane në Durrës, zbuluan themelet e një godine të periudhës osmane, dy topa lufte dhe disa dhjetëra predha sferike guri për hedhje me katapultë. Mbi to parashikohej të ngriheshin themelet e projektit të famshëm “Veliera”.
Protestuesit theksojnë se nuk kanë asnjë qëllim politik, por kërkojnë vetëm të mbrojnë trashëgiminë e qytetit të tyre.
“Shpresa vdes e fundit”, është pikërisht thënia që u shkon më për shtat këtyre protestuesve, të cilët për muaj me radhë nuk janë dorëzuar, edhe pse punimet vazhdojnë të kryhen mbi zbulimet arkeologjike. (D.D/Shuplaka)