E ndërsa jemi në fillimin e sezonit turistik për 2017, një kanal që daton që në vitet ’60 është kthyer në problem serioz për pushuesit në Durrës.
Kanali ndodhet vetëm pak metra nga shtëpia pushuese e ushtarakëve në zonën e Plepave. Në fillimet e tij ishte paraparë si kanal ujëmbledhës i ujërave të tepërta dhe kullimit të tokave.
Por prej vitesh duket se e ka humbur këtë funksion, duke u kthyer në një ujëmbledhës të ujërave të zeza të disa fshatrave, derdhja e të cilave bëhet në det.
Tani që zona i është nënshtruar një rehabilitimi të ujërave të zeza, për këtë kanal nuk ka asnjë shpresë.
Emisioni BOOM e ndoqi këtë çështje në rang institucional dhe duket se vetmja mundësi është që bashkia e Durrësit të ndërhyjë në kanalizimet e këtyre fshatrave që tashmë i janë bashkuar rishtaz kësaj bashkie me ndarjen e re territoriale.
BOOM kontakton Ujësjellës Kanalizmet në Durrës
UKD: Është kanali i ujërave të larta, nuk ka lidhje me Ujesjellësin. E ka Bordi i Kullimit. Është problematikë e vjetër. Ajo është siç janë kanalet e hapura të gjitha, kanalet e ujërave të larta, të dyta dhe të treta që thonë ujërat e shiut grumbullohen aty dhe shkojnë në det.
Gazetarja: Aty mban erë të keqe.
UKD: Mban erë të keqe sepse janë të gjthë ato fshatrat Arapaj, Shkallnur, Xhafzotaj. Në lagjet andej nuk ka rrjet kanalizimesh fare dhe pjerrësia bën që të derdhen aty.
Gazetarja: Po çfarë do bëhet apo nuk është e varur nga ju?
UKD: Nuk varet nga ne, projekti që është bërë nga Ujësjellësi dhe që financohet nga Banka Botërore nis nga përroi i Agait. Aty ku ndahet në kufi Shkëmbi i Kavajës me Golemin. Është bërë magjistrali kryesor, janë bërë dhe këto dytësore, tretësore që janë tani në përfundim dhe po lidhen me gjithë zonën e banuar majtas dhe djathtas rrugës dhe nuk ke çfarë bën, ashtu do të mbetet ai. Duhet të ketë një projekt të veçantë vetëm për atë që të futet dhe ai. Një investim tjetër që mund të bëhet për ish-komunat që janë bërë pjesë tani e bashkisë së Durrësit. Këto normalisht janë kanale që mbledhin ujërat e shiut por janë 3-4 fshatra që janë dhe në kodër dhe nuk kanë rrjet fare, i kanë kanalizimet e hapura dhe i dergjin në det.
BOOM në Bordin e Kullimit Durrës
Gazetarja: Ishim sot përgjatë vijës bregdetare të paktën në pjesën e Durrësit deri tek Shkëmbi i Kavajës dhe na rezultoi një kanal i madh dalja e të cilit është në det. Iu drejtuam Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës dhe na thanë që nuk është në kompetencat tona por të Bordit të Kullimit.
Bordi i Kullimit: Për cilin kanal bëhet fjalë?
Gazetarja: Është sapo kalon Kavalishencën e Ushtrisë. Ky nuk është një kanal që u hap dje, ka të paktën 20 vite.
Bordi i Kullimit: Ai ka që nga ’61 ose para ’61.
Gazetarja: Duke marrë shkas që kjo zonë është futur në një rehabilitim të ujërave të zeza, ai kanali aty sikur…
Bordi i Kulllimit: Është kanal bujqësor, është kanal i ujërave të larta i cili përmbledh ujërat me Xhafzotaj dhe Arapaj dhe derdhjen e ka në det.
Gazetarja: Si e shpjegoni që atu vjen era m..?
Bordi i Kullimit: Aty vjen ajo erë, vjen era m… për të vetmen arsye sepse është faji i pushtetit lokal që nuk ka bërë kanalizimet për zonat e banuara. Dikur ajo ka qenë vetëm për kullimin e tokave dhe ujërave të tepërta. Tani aty e gjithë zona është e banuar, nga tokë bujqsësore është kthyer në zonë të banuar.Nuk janë politikat e bujqësisë por janë politikat e pushtetit vendor që duhet të bëjë kanalizimet.
Gazetarja: Politikat janë të bashkisë së Durrësit?
Bordi i Kullimit: Bashkia e Durrësit e ka marrë tani. Nuk mund të themi dot e ka bashkia e Durrësit. Kjo ka që pas viteve ’90 që ka filluar, kanë qenë komunat etj etj me radhë.
Gazetarja: Tani është në varësinë e bashkisë Durrës. Ju më thoni që pushteti lokal mund të bëjë një investim.
Bordi i Kullimit: Mund të bëjë një investim për kanalet e ujërave të zeza.
Gazetarja: Të fshatrave Xhafzotaj, Arapaj, të gjitha ato atje?
Bordi i Kullimit: Po, që i ka nën juridiksionin e vet.
Gazetarja: Që nuk ka kanalizime dhe i derdhin aty.
Bordi i Kullimit: I derdhin të gjithë atje.
E njëjta situatë dhe në plazhin e Golemit
E njëjta situatë paraqitet edhe në një tjetër plazh të vijës së Adriatikut, në afërsi të Golemit. Fotot dëshmojnë më së miri se në çfarë gjendje ishte deri para pak ditësh.
Për këtë çështje u pyet dhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare.
Gazetarja: Kemi të bëjmë me mbyllje apo fshehje të kanaleve poshtë rërës apo sistemim të asaj zone sa i përket kanalizimeve?
Tare: Në atë zonë jo vetëm kemi konstauar në vazhdimësi këto kanalizime dhe këto fshehje të kanalizimeve gjatë sezonit nga subjekte të ndryshme të cilët nuk duan që qytetari të vijë dhe të bëjë plazh dhe ta dijë që poshtë ka një kanal të ujërave të zeza. I kemi raportuar me pika të gjeoreferencuara drejt bashkive përkatëse.
Më tej Tare thotë se në Shqipëri kemi një model të gabuar për turizmin.
Tare: Modeli që kemi ne në Shqipëri është një model shumë i korruptuar në aspektin e korruptimit të modelit italian. Fatkeqësisht në këto 20 e ca vjet është marrë një model nga Italia, një lloj trashëgimie që këtë plazhin e ka pas gjyshi im dhe do ta kem dhe unë dhe nuk ka standart të përcaktar qartësisht nga pushteti lokal sesi një qytetar apo subjekt biznesi mund të marrë një plazh me qira. Kemi propozuar dy modele: Modelin francez i cili është një model që Franca, një nga vendet më të zhvilluara në botë ka vite që e ka aplikuar. Duke qenë se pushteti lokal në Francë është shumë i fortë, Franca ka krijuar Agjencinë e Bregdetit të Francës që administron 100% zona të caktuara të vijës bregdetare duke përfshirë trashëgiminë kulturore brenda, asete të tjera. Këto janë zona që administrohen nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit e Francës e cila menaxhon apo administron 10% të turizmit francez. Kemi një model tjetër, atë malazez. Ka 1/3 e bregdetit tonë dhe është shumë më para se ne në administrimin e plazheve. E kanë përqëndruar administrimin dhe përgjegjësinë nën administrim të zonës së plazhit. Kanë krijuar një ndërmarrje që është përgjegjëse për gjithçka ndodh në vijën bregdetare dhe sidomos të plazheve. Modeli që ne kemi, i fragmentarizuar nëpër bashki të ndryshme të cilat dhe pse i kanë të shkruara në vendimin e Këshillit të Ministrave sesi jepen stacionet e plazhit, në masën më të madhe nuk i respektojnë dhe nuk mbajnë përgjegjësi. Nuk ka institucion që i çon këta kryetarë bashkish apo njerëz që merren me këtë punë t’i çojë para përgjegjësisë penale për të mbajtur përgjegjësi si për standartin ashtu dhe të ardhurat. Sot ti ke shkuar në 7 institucione dhe nuk merr një përgjigje për një kanal. Kjo do të thotë që asnjëri nuk mban përgjegjësi./ Ora News