Humbja e zgjedhjeve të 25 qershorit ka sjellë një situatë të re në Partinë Demokratike. Pas humbjes Kryetari i Partisë Demokratik Lulzim Basha ngriu funksionet brënda partisë dhe shpalli të hapur garën për kryetar të saj.
Sfidanti i Bashës (edhe pse i pakonfirmuar ende zyrtarisht) pritet të jetë Astrit Patozi ,i cili ka lajmëruar një konferencë nga selia e Partisë Demokratike. Ashtu si Selami, i cili e shpalli kandidaturën zyrtare prej andej.
Astrit Patozi është një ndër kundërshtarët e Bashës në PD dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij pas humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit. Në një intervistë në “Opinion” ai dha një deklaratë mjaft të fortë. Patozi tha se në kushte të një gare të barabartë do ta shpartallonte Lulzim Bashën “brënda dy minutave”. Mirëpo ai tha se më parë Basha duhet të jepte dorëheqje nga PD. Mbetet për t’u parë nëse Patozi është kandidati i grupit anti-Basha në PD. Ai do të flasë në orën 18:00 nga selia e PD.
Sfidanti tjetër është Eduard Selami. Selami ishte i pari që shpalli kandidaturën e tij për kreun e PD pas deklaratës së Bashës ku lajmëroi ngrirjen e funksioneve të tij.
Selami, ndryshe nga pjesa tjetër e kundërshtarëve të ashpër të Bashës është shfaqur më i ekuilibruar në qëndrime. Ai ka thënë se prêt që gara të jetë e hapur dhe e ndershme ku ai të ketë mundësinë të paraqesë platformën e tij për PD-në dhe të mos ketë ndërhyrje që prishin garën. Ndryshe nga pjesa tjetër Selami nuk i trembet as ndërhyrjes së Berishës. Menjëherë pasi shpalli kandidaturën ai dha një intervistë ku u shpreh se Berisha ka të drejtë të mbështesë cilin të dojë, madje kjo nuk do të ndikojë në rezultat . Selami ka thënë se ai nëse fiton do t’i kthejë dinjitetin Partisë Demokratike.
Një tjetër kandidaturë është dhe ajo e një anëtari të Partisë Demokratike në Fier, Astrit Sinanit. Sigurisht që nuk ka shumë peshë në krahasim me të parët, por gjithsesi ai ka kërkuar mbështetjen e anëtarëve të PD-së kreun e Partisë Demokratike.
I fundit i saposhpallur është Erion Piciri, ai është lektori dhe kandidati i 26 në listën e PD-së për Qarkun e Tiranës.
Ai ka shpallur kandidaturën duke thënë se ndjen përgjrgjësi dhe detyrim politik që të japë kontributin në ringritjen e Partisë Demokratike.
Kujtojmë që Lulzim Basha është kryetari i PD, por që ka ngrirë të gjitha funksionet e tij Brenda partisë. Megjithatë kundërshtarët e tij nuk janë të kënaqur sepse sipas tij kjo nuk është garanci për mospërdorimin e strukturave të PD nga ana e tij për të ndikuar garën.
Partia Demokratike arriti të marrë vetëm 43 mandate, kundrejt 74 të PS-së dhe 19-të të LSI-së në zgjedhjet e 25 qershorit. Aktualisht është shpallur dita e zgjedhjeve për kreun e saj që do të jetë 22 korriku. Përballë Lulzim Bashës do të kandidojë Eduard Selami. Data 2 korrik është afati i fundit për pranimin e kandidaturave të tjera, ndërkohë që Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi kërkojnë dorëheqjen e Bashës. Ish-kryeministri Sali Berisha ka një qasje tjetër për zgjidhjen e situatës së vështirë që po kalojnë demokratët: bashkimi dhe heqja dorë nga përçarja dhe përjashtimi.
(B.H/Shuplaka)