Migrimi nga Ballkani Perëndimor vazhdon të ndikojë thellë në tregjet e punës në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Nivele të larta informaliteti mbeten në sektorë si bujqësia, turizmi dhe ndërtimi, ku punësimi sezonale është i përhapur dhe i paformalizuar.
“Në qendër të kësaj marrëveshjeje është lufta ndaj informalitetit. Lëvizja e lirë duhet të bëhet në bazë të disa rregullave, të cilat kanë të bëjnë me një punë formale, të denjë dhe në kushte të sigurta. Nuk janë shumë raste deri tani, por do të shtoja se me rritjen e vëmendjes dhe evidentimit të rasteve, këto fenomene do të vijnë në rritje, pasi nuk kanë qenë më parë në fokusin tonë”, shprehet Eljo Muçaj, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës.
Në Shqipëri dhe Kosovë, mbi 40% e punësimit është informal, duke i ekspozuar punëtorët ndaj kushteve të pasigurta. Mali i Zi, megjithëse ka kuadro ligjore për punësimin sezonal, përballet me vështirësi në zbatim dhe administrim.
“Janë vërejtur shkelje të të drejtave, qoftë për punëtorët shqiptarë apo të huaj. Përmend këtu raste si mbajtja e pasaportave të punëtorëve të huaj nga punëdhënësi, apo mënyra si u paraqiten kontratat të huajve kur vijnë këtu, si dhe abuzimet që lidhen me pjesën e strehimit në vend dhe në rajon”, thotë Ada Ilia, eksperte.
Qeveritë e rajonit po përpiqen të harmonizojnë ligjet dhe të rrisin mbrojtjen për punëtorët, por sfidat mbeten të mëdha.