Fatos Mustafa, Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i “RYCO”, ka qenë i ftuar sot në studion e lajmeve të Fax News për të folur lidhur me çështjen e të rinjve dhe integrimit të tyre rajonal.
Po çfarë është RYCO:
Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO) është një mekanizëm institucional i pavarur, i themeluar nga vendet e Ballkanit Perëndimor ku janë pjesëmarrës 6 shtete: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia, me qëllim promovimin e frymës së pajtimit dhe bashkëpunimit midis të rinjve në rajon përmes programeve të shkëmbimit të të rinjve.
Mustafa u shpreh se kjo organizatë ka si qëllim që të rrisë frymën e bashkëpunimit mes të rinjve dhe jo vetëm, dhe të lihen pas problemet që ka pasur mes dy vendeve.
“RYCO është themeluar në Paris në vitin 2016, një vit më pas ka filluar tamam funksionimi i saj. Stafi është i përbërë nga njerëz nga i gjithë rajoni, 6 vende të Ballkanit Perëndimor. Fillimi ka qenë me vështirësi të ndryshme, tashmë RYCO ka marrë fokusin nga qeveritë e rajonit por edhe nga rinia.
Ka nevojë që të ketë një ndërlidhje mes njerëzve, ka një mungesë takimesh mes të rinjve të vendeve të rajonit, duhet ti jepet frymë bashkëpunimeve. Ka një etje për një rajon ndryshe dhe një marrëdhënie tjetër. Ka një numër shumë të madh personash që na janë bashkuar”, u shpreh më tej Mustafa.
Sa e vështirë ka qenë që të tejkalohen ndasitë midis vendeve?
Vështirësitë janë evidente, pasi ka dhe një regjim vizash mes Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës, ne kemi ngritur zërin për këtë çështje. Ne kemi nga një zyrë në secilin prej vendeve, arsyeja se pse kjo ndodh është të marrim informata nga nivele nacionale dhe për ti bërë më pas këto shqetësime rajonale.
Çështja e të rinjve është gjithëpërfshirëse, problematikat që kemi ndeshur në vende veç e veç, e kemi paraqitur si një sfidë rajonale.
Shqetësimet më të mëdha të rinjve lidhen me sigurinë, mundësia e lëvizshmërisë,por edhe punësimi, që mund të ketë një shkëmbim midis vendeve.
(E.K/FAXWEB.AL)