Një kryebashkiake franceze është detyruar të kërkojë falje pas reagimit të ashpër ndaj shkakasë së saj të 1 prillit se në qytetin e saj, në Beauvais, do të vinte kompania gjigande suedeze IKEA për të hapur 4 mijë vende të reja pune.
Caroline Cayeux përmes llogarisë së saj në Facebook dhe Twitter lajmëroi qytetarët e Beauvais për mbërritjen e një qendre tregtare të markës sudeze IKEA. Shumë prej qytetarëve e besuan “këtë lajm të madh”.
Por vendasit nuk u zbavitën aspak kur kryetarja e bashkisë, pak orë më vonë, sqaroi se i gjithë lajmi për vendet e reja të punës nuk ishte i vërtetë.
Zonja Cayeux u pendua për shakanë jo dhe aq të kripur e cila ‘mori dhenë’ në mediat sociale.
Ajo kërkoi ndjesë në median franceze që “sensi i saj i humorit nuk u kuptua nga të gjithë”, duke shtuar se një zhvillim i tillë tregtar në qytet në të ardhmen, mund të sillte realisht 4 mijë vende të reja pune.
Sidoqoftë, përdoruesit e medias sociale u treguan ‘të pamëshirshëm’ e madje një komentues në Twitter i shkroi se “Ne të gjithë do të votojmë për ty në zgjedhjet e ardhshme…shaka e 1 prillit”.