Shqipëria ka avancuar në procesin e integrimit për në Bashkimin Europian, duke hapur në tetor kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE, pas një procesi të gjatë të nisur që në 2009-n.
Kjo nënkupton që shteti kandidat duhet të harmonizojë legjislacionin me shtetet e BE-së dhe të plotësojë kriteret e tjera specifike të Bashkimit Europian, përfshirë aspektet ekonomike, sociale, politike dhe ligjore, çka nënkupton reforma të rëndësishme për rritjen e transparencës, luftën kundër korrupsionit dhe ruajtjen e rendit demokratik.
Ndonëse hyrja faktike për në BE do të kërkojë ende kohë, ndoshta dekada, ky proces, së bashku me planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor vlerësohen nga përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare si një shans i madh për vendin.
Së fundi, një sfidë e madhe për Shqipërinë është përafrimi me standardet e BE-së në të gjitha fushat që mbulohen nga ligjet e BE-së.
Kjo kërkon jo vetëm ndryshime në ligje, por edhe kapacitete administrative, buxhete, investime”, ka pohuar në një intervistë për “Monitor”, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.
“Përmirësimi i cilësisë institucionale do të jetë thelbësor për të trajtuar nivelet e larta të emigrimit, mospërputhjen e aftësive dhe papunësinë nëpërmjet investimeve publike të përshtatura në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë cilësore.
Për të siguruar progres të mëtejshëm, Shqipëria duhet gjithashtu të qëndrojë e përkushtuar ndaj zbatimit të agjendës së reformave në kuadër të planit të rritjes me fokus në integrimin rajonal dhe të tregut në BE, si lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve”, thotë Zëvendëspresidenti i Bankës Europiane të Investimeve (EIB), Robert de Groot.
“Banka Europiane e Investimeve (EIB Globale), si banka e BE-së, është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në këto përpjekje për përthithjen e 922 milionë eurove të parashikuara në planin për vendin”, pohon ai.
“Reformat strukturore, në kuadër të procesit të integrimit në BE, mund të rrisin ndjeshëm potencialin ekonomik”, thotë Anke Weber, shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë.
Në të njëjtën linjë është dhe Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri. “Zbatimi më i shpejtë i reformave strukturore, i mbështetur nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, mund të nxisë rritjen”, pohon ajo.
Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor është një nismë strategjike e Bashkimit Europian (BE) që synon të përfshijë shtetet e Ballkanit Perëndimor në BE, duke mbështetur zhvillimin dhe stabilitetin në rajon.
Ky proces ka si qëllim të forcojë lidhjet politike, ekonomike dhe sociale midis BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që i nxit këto shtete të implementojnë reforma të thella që përputhen me kërkesat e Bashkimit Europian./MONITOR