Duket se aventura e mesfushorit Xherdan Shaqiri te Liverpool ka ardhur në fund pas vetëm një sezoni (30 ndeshje dhe 6 gola sezonin e fundit). Sipas mediave britanike, mesfushori nuk është aspak i kënaqur me faktin se edhe këtë sezon do të jetë në stol, siç dhe ka ndodhur në ndeshjet e fundit.
Trajneri Jurgen Klopp e ka lënë sërish në stol mesfushorin me origjinë shqiptare, por që luan për Zvicrën. Duke folur për mediat, 27-vjeçari tha: “Jam i zhgënjyer që edhe këtë sezon nuk do të luaj shumë. Madje nuk po luaj fare”.
“Asnjërit nuk i pëlqen të qëndrojë në stol. Është e qartë që unë dua më shumë minuta në dispozicion. Do të shoh situatën përreth për ndonjë zgjidhje tjetër”, u shpreh Shaqiri, që ka oferta nga Franca (Monaco) dhe Turqia (Galatasaray).
“Nuk kam asnjë ide për oferta në adresën time dhe se kush është interesuar për mua”, tha Shaqiri, i paqartë për të ardhmen e tij.