Shtetet e Bashkuara kanë dënuar sot sulmet e dhunshme mbi deputetët e Parlamentit maqedonas, të cilat erdhën pas zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryetar i Kuvendit.
“Ne do të punojmë me kryeparlamentarin e ri, për të mbështetur demokracinë dhe për t’i ndihmuar Maqedonisë të ecë përpara në rrugën e saj evropiane”, -thuhet në komunikatën e Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik. Shprehim keqardhjen tonë të thellë për ata anëtarë të Parlamentit që janë plagosur në sulme, si dhe për familjet e tyre. Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje autoriteteve të Maqedonisë që të garantojnë sigurinë e të gjithë anëtarëve të Parlamentit, të hetojnë plotësisht sulmin dhe t’i mbajnë përgjegjës ata që kanë kryer akte të dhunës”, -thuhet më tej në komunikatë, përcjell REL.
Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje të gjitha palëve që të qëndrojnë qetë, të zgjidhin çdo ndasi në mënyrë paqësore dhe të respektojnë ligjet e Maqedonisë dhe proceset demokratike.
Dje disa deputetë janë plagosur pasi disa huliganë cënuan rendin duke u fuur me dhunë në Parlament. Mes të plagosurve ishin edhe Ziadin Sela dhe Zoran Zaev.
(M.D/Shuplaka)