Një i burgosur në SHBA ndërroi jetë pasi u rrah brutalisht nga tre gardianë burgu. Robert Brooks, 43 vjeç, kishte arritur në burgun e Marcy në shtetin e New York-ut më 9 dhjetor (ditën e rrahjes) nga burgu Mohawk për të përfunduar vuajtjen e dënimit me 12 vjet burg pasi vrau me thikë të dashurën e tij.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale tregon momentin kur oficerët dhunojnë 43 vjeçarin. Një nga rojet përpiqet t’i vendosë diçka në gojë, ndërsa një tjetër e godet në bark dhe gjoks me grusht. Pasi u rrah për më shumë se dhjetë minuta, Brooks u transportua në spital. Ndërkohë më 10 dhjetor ai ndërroi jetë.
Guvernatorja e New York-ut, Kathy Hochul, ka kërkuar shkarkimin e tre rojeve të përfshira, së bashku me dhjetë persona të tjerë, përfshirë dy infermierë, që ishin dëshmitarë të rrahjes.
Ndërkohë Prokurorja e New York-ut Letitia James – e cila publikoi dhe videon njoftoi kryerjen e një hetimi të thelluar mbi incidentin.”Kam përgjegjësinë dhe detyrën të ofroj transparencë për familjen Brooks dhe për të gjithë,” shpjegoi James.
Hetimi do të udhëhiqet nga Ryan Paparella, një ish-oficer korrektues, i cili tha se aktualisht nuk ka arsye të qarta për sulmin. “Brooks u rrah dhunshëm nga një grup oficerësh, puna e të cilëve ishte ta mbajnë atë të sigurt. Ai meritonte të jetonte dhe çdo person që jeton në burgun e Marcy meriton të dijë se nuk duhet të jetojë në frikë nga dhuna e ushtruar nga stafi i burgut,” tha Elizabeth Mazur, avokatja e familjes së të dënuarit të vdekur.
Organizata për mbrojtjen e të drejtave civile NeW York Civil Liberties Union vë në dukje se “rrahja fatale e Brooks-it nuk është një incident i izoluar.
Përkundrazi, ajo thekson një kulturë dhune dhe mungesë përgjegjësie për shkeljet nga ana e oficerëve./ La Repubblica