Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, që doli i pari në zgjedhjet e gjashtë tetorit, si duket nuk do të pajtohet me Washingonin sa i përket rëndësisë që duhet t’i jepet zhbllokimi i dialogut Kosovë – Serbi. Derisa Kurti tha se dialogu nuk është në krye të listës së tij, Departamenti amerikan i shtetit po kërkon që ai të nisë sa më shpejt.
Në deklaratën e parë pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, një zëdhënës i departamentit të shtetit tha se SHBA pret që udhëheqja e re të fillojë menjëherë bisedimet me Serbinë, për të gjetur një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.
“Ne mirëpresim mundësinë të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve”, tha një zëdhënës i departamentit të shtetit.
Për rëndësinë që ka përparimi në dialogun Kosovë-Serbi, diskutoi me Kurtin dje dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në vizitën që ky i fundit e pati në selinë qendrore të VV-së.
Mirëpo, Kurti si duket nuk po ngutet aq shumë sa i përket zgjidhjes së situatës me dialogun. Në një intervistë për AP, kreu i VV-së tha se negociatat Prishtinë – Beograd nuk janë në krye të listës së tij.
“Nuk mund të jetë në prioritetet kryesore në ditën e parë të punës sime si kryeministër”, deklaroi Albin Kurti.
I njëjti, ndërkaq, sa i përket dialogut tha se qysh në javën e parë do të nisë dialogun me serbët e Kosovës, duke paralajmëruar bisedime nga poshtë lart.
“Sa i përket dialogut me Serbinë qysh në javën e parë si kryeministër unë do të filloj dialogun me serbët e Kosovës, dialog prej poshtë lart dhe përveç kësaj dialog për zhvillim e për integrim, jo për pajtim. S’më ka bërë gjë mu serbi nga Graçanica, pajtimi bëhet kur Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës edhe na i paguan dëmet e luftës nuk kemi pse pajtohemi me serbin e Graçanicës”, ka thënë Kurti.
Dialogu Kosovë – Serbi po qëndron pezull qyshkur në Kosovë qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj vendosi taksë 100 për qind për të gjitha produktet serbe e boshnjake.