Departamenti amerikan i Shtetit nxori një njoftim ku i këshillon amerikanët të mos udhëtojnë jashtë vendit, një paralajmërim i paprecedent.
Në udhëzimin e ri, amerikanëve u bëhet thirrje të kthehen në SHBA, ose të qëndrojnë brenda, kudo që të ndodhen jashtë vendit.
“Atje ku ekziston mundësia, amerikanët që ndodhen jashtë të kthehen në SHBA,” tha DASH
Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 11,200 njerëz kanë testuar pozitivë për koronavirusin nga mëse 7,000 një ditë më parë. Të paktën 156 kanë vdekur, një rritje prej rreth 40 për qind nga shifrat e publikuara të mërkurën. Sipas të dhënave, 106 janë personat e shëruar.
Disa ekspertë thonë se shifra e të infektuarve mund të jetë shumë më e lartë, pasi testimet që bëhen janë shumë pak.
Shteti i Nju Jorkut testoi te merkuren 8,000 njerëz për koronavirus, grupi më i madh i të ekzaminuarve deri tani në Shtetet e Bashkuara. Guvernatori Andrew Cuomo tha të enjten se ka të ngjarë që ky testim masiv të çojë në një rritje të ndjeshme të rasteve me koronavirus, pasi të jenë marrë rezultatet.
Më shumë se 3,000 nga numri i përgjithshëm i të konfirmuarve me koronavirus në SHBA janë në shtetin e Nju Jorkut. Numri i vërtetë mund të jetë 10 herë më i lartë se kaq, tha guvernatori.
Ekspertët amerikanë të shëndetësisë druhen se SHBA janë në një trajektore të ngjashme si Italia, vendi më i goditur në Evropë, ku qeveria raportoi një rekord prej 475 vdekjesh vetëm të Mërkurën.
Shefi i emergjencave në një nga spitalet më të mëdha të Nju Jorkut, Dr. Robert Femia, thotë se njerëzit nuk duhet t’i drejtohen menjëherë dhomës së emergjencës me dyshimin e parë se mund të kenë koronavirus:
“Nuk duhet të mendojmë se nëse paraqitemi në dhomën e emergjencës do të testohemi. Ne nuk duam që njerëzit të infektojnë të tjerët, sidomos ata më të ekspozuarit”.
Ai i këshillon njerëzit që së pari të bisedojnë me mjekun me mjete telemjeksore, përmes videos, për të mos i mbingarkuar spitalet, të cilat kanë mungesa të ndjeshme pajisjesh, si respiratorë, për të përballuar koronavirusin. Disa spitale thonë se pajisjet u mjaftojnë vetëm për disa ditë në rast të një mbingarkese.
Qeveria amerikane po përgatitet për një pandemi që mund të zgjasë deri në 18 muaj ose më shumë dhe “të përfshijë disa valë përhapjeje”, tha rrjeti CNN, i cili citonte një raport të ri.
Ndërkohë, dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, Mario Diaz-Balart nga Florida dhe Ben McAdams i shtetit Utah janë ligjvënësit e parë që testuan pozitivisht për koronavirusin.
Mjekët janë në kontakt me ligjvënësit për të gjetur se me cilët njerëz të tjerë brenda selisë së Kongresit kanë kontaktuar ata dhe që mund të jenë ekspozuar ndaj virusit.
Deborah Birx, koordinatore për koronavirusin pranë Shtëpisë së Bardhë, thotë se çështja më e rëndësishme në këtë fazë është marrja e të dhënave të sakta duke kryer testime sa më të gjera.
“Mendoj se duhet të ekzaminojmë 100 për qind të rasteve … Ne po kërkojmë nga çdo spital, çdo klinikë të raportojë rezultatet e testimit”, tha Dr Birx për programin “CBS This Morning”.
Me më shumë se 9.300 vdekje në të gjithë botën, epidemia e koronavirusit e përhapur me shpejtësi të madhe ka trondituir botën dhe u ka dhënë shkas krahasimeve me periudha të tilla traumatike si Lufta e Dytë Botërore, kriza financiare e 2008-ës dhe pandemia e gripit spanjoll të vitit 1918.
Ekspertët amerikanë kanë frikë se Shtetet e Bashkuara janë në një trajektore të ngjashme si Italia, tani epiqendra e pandemisë, ku qeveria raportoi një rekord prej 475 vdekjesh vetëm të mërkurën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të fataliteteve në vend në 2,978.
Qyteti i Nju Jorkut po shqyrton mundësinë për të shndërruar disa nga hotelet më të mëdhenj të tij në spitale të përkohshme për të trajtuar pacientët jo me koronavirus si dhe për liruar shtretër, tha për CNN Deanne Criswell, komisionere e Departamentit të Menaxhimit të Emergjencave të qytetit.
“Nëse ne mund t’i marrim dhe transferojmë disa pacientë jo të sëmurë rëndë nëpër hotele ose objekte të tjera, kjo do të lehtësonte presionin mbi sistemet tona spitalore,” tha Criswell.
Një objekt tjetër që po shqyrtohet është Qendra Jacob Javits në Manhattan, një nga qendrat më të mëdha të kongreseve në botë, tha Criswell.
KONGRESI NË LËVIZJE
Ndërkohë, numri i amerikanëve që kërkojnë pagesë papunësie u rrit në nivelin më të lartë që nga viti 2012, pasi kompanitë në sektorët e shërbimeve pushuan punëtorë që punojnë për biznese të cilat tashmë po mbyllen për shkak të pandemisë.
Guvernatorët e shteteve amerikane po i kërkojnë Presidentit Trump që të rritet prodhimi dhe furnizimi i kompleteve të testimit, ventilatorëve dhe pajisjeve të tjera mjekësore tepër të nevojshme.
Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin i kërkoi të enjten Kongresit të miratojë një projektligj prej 1 trilion dollarësh ndihmë ekonomike deri në fillim të javës tjetër, duke thënë se ai pret mbështetje dypartiake, në mënyrë që amerikanët të mund të marrin pagesa në para gjatë krizës.
Mnuchin tha se qeveria federale është e përqendruar te mundësia për të siguruar likuiditet për kompanitë dhe nuk ka asnjë problem të lëshojë më shumë borxhe, por se pret që kreditë për bizneset të shlyhen.
Ligjvënësit amerikanë kanë miratuar tashmë një plan prej 105 miliardë dollarësh për të kufizuar dëmin financiar ndaj amerikanëve, përmes testimit falas, pushimit të paguar për sëmundje dhe shpenzimeve të tjera. Një tjetër plan prej 8.3 miliardësh synon për të luftuar përhapjen e sëmundjes dhe zhvillimin e vaksinave. Presidenti Trump i ka nënshkruar të dy projektligjet.
“Ne do ta kapërcejmë këtë,” tha Mnuchin. “Kjo nuk është një krizë financiare që do të vazhdojë me vite.”
Jerome Adams, zyrtari më i lartë i shëndetit publik të Shteteve të Bashkuara, tha se amerikanët duhet të vazhdojnë të vetizolohen dhe të ndjekin udhëzimet.
Megjithatë, shumë amerikanë nuk po i përfillin këshillat e ekspertëve.
“Ikni nga plazhet,” tha të enjten senatori amerikan Rick Scott i Floridës, ndërsa televizionet tregonin skena studentësh që po përmbytnin plazhet për pushimet e tyre të pranverës.
Nëse njerëzit nuk dëgjojnë paralajmërimet për izolim social, zyrtarët mund të duhet të ndërmarrin veprime më ekstreme, i tha Scott rrjetit CNN në një intervistë.
“Duhet menduar se si të largohen këta njerëz nga plazhi,” tha ai./VOA