Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, do të njoftojë sot heqjen e masës për testet negative të coronavirusit për udhëtarët që hyjnë në vend, tha një zyrtar i lartë i administratës për mediat.
Sipas medieve të huaja, masa do të hyjë në fuqi për udhëtarët ajror me destinacion SHBA të dielën në mesnatë.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thuhet se e kanë përcaktuar se shkenca dhe të dhënat nënkuptojnë se testet nuk janë më të nevojshme. CDC do ta shqyrtojë sërish vendimin pas tre muajsh.
Industria e udhëtimeve kishte lobuar me muaj kundër kufizimit, që kishte qenë në fuqi që nga janari 2021.
Zyrtari tha se administrata Biden planifikon të punojë me linjat ajrore për të siguruar një tranzicion të qetë. Industria e udhëtimeve, si dhe disa shkencëtarë dhe ligjvënës, përfshirë demokratët, kishin qenë kritikë ndaj kërkesës, duke thënë se nuk ishte më e nevojshme.
Që nga dhjetori CDC, ka kërkuar që udhëtarët ta bëjnë testin një ditë përpara fluturimeve për në SHBA, për ta dëshmuar se janë negativ, por që nuk ka vlejtur edhe për kalimet kufitare tokësore.