Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk do të përfaqësojë Serbinë, javën e ardhshme, në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në vend të tij, siç shkruan media serbe Danas, përcjell Telegrafi, në New York do të udhëtojë kryeministrja Ana Brnabiç.
Sipas burimeve të medias në fjalë, Vuçiç është dashur të marrë pjesë në këtë ngjarje disaditore, ashtu siç bëri vitin e kaluar, por këtë herë nuk ishte në gjendje të për shkak të angazhimeve të tjera.
Rikujtojmë, presidenti i Serbisë javën e kaluar, ka thënë: “Unë nuk jam mjaft i sigurt, por ndoshta do të shkojë Brnabiç, jo unë, në Neë York. Thjesht dua të jem më shumë në vend, unë nuk mund të jem gjithë kohës jashtë vendit”, citohet të ketë thënë Vuçiç.
Danas gjithashtu shton se ende nuk është konfirmuar as data e takimit të Vuçiçit me presidentin rus Vladimir Putin, edhe pse më parë ishte pohuar se ky takim duhet të organizohet gjatë këtij muaji.
Ndërkohë është raportuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javën e ardhshme pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump.
Dhe kjo gjë gjithsesi nuk ka mbetur pa u komentuar edhe në Serbi. Kjo sipas mediave serbe, do të ishte një “goditje e madhe” për Beogradin zyrtar.
Takimi që pritet të ndodhë mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me atë amerikan Donald Trump vjen pas deklaratave të John Bolton, këshilltari i presidentit Trump për Sigurinë kombëtare, kohë më parë deklaroi se SHBA do të pranonte një marrëveshje për të cilën do të binin dakord kosova dhe Serbia.
Ndërkohë ka patur shumë pikëpyetje rreth qëndrimit të SHBA-së rreth kësaj çështjeje, nëse SHBA mbështet apo kundërshton në mënyrë kategorike një marrëveshje që parashikon shkëmbim territoresh.
Nga ana tjetër presidenti i kosovës në deklaratat e tij është shprehur se nuk do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që nuk përkrahet nga SHBA-ja. (B.H/Faxweb)
Discussion about this post