Gazetari Almer Toska ishte i ftuar në hapësirën e intervistës në Fax News, ku komentoi zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhjet e fundit në vend.
Në një analizë të ashpër dhe të detajuar, Toska u shpreh se Shqipëria sot drejtohet nga një “sistem oligarkiko-kriminal”, ku sipas tij, qeveria e Edi Ramës kontrollon çdo aspekt të jetës publike dhe institucionale.
Toska vlerësoi se opozita hyri në zgjedhjet e fundit në kushte të jashtëzakonshme, ku Sali Berisha nuk vinte nga një realitet normal politik, por nga një betejë personale dhe institucionale.
“Opozita është përballur me shumë sfida të brendshme dhe përçarje, por qytetarët kanë treguar pëlqyeshmëri për figura të caktuara si Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku,” tha Toska.
Ai theksoi se votat për Alimehmetin e legjitimojnë moralisht si deputet, ndonëse mbeti jashtë parlamentit për shkak të sistemit zgjedhor të deformuar.
Toska u shpreh i bindur se Edi Rama ka ngritur një sistem të mbyllur pushteti, ku çdo mekanizëm është i nënshtruar ndaj vullnetit të tij personal.
“Qeveria ka patronazhistë që ndajnë punësime, tendera dhe favore në bazë të votës. Vota në Shqipëri është e korruptuar dhe mbështetja për PS nuk është më ideologjike, por interes personal,” – theksoi Toska, duke shtuar se PS ruajti të njëjtin rezultat si në vitin 2021.
Në këtë intervistë, u diskutua lidhur me arrestimin e Ilir Metës, ku sipas gazetarit Almer Toska, kreu i Partisë së Lirisë është tradhtuar nga njerëzit më të afërt brenda partisë.
“Erion Brahimllari dhe Endrit Brahimllari firmosën lobimin në SHBA që më pas u përdor kundër Metës. Ai u la i vetëm dhe personat që e rrethuan, u blenë për ta lënë në burg,” – deklaroi Toska, duke shtuar se beson që arrestime të tjera do të ndodhin së shpejti në këtë drejtim.
Ndërkaq Almer Toska ka deklaruar për FaxNews se SHBA nuk e mbështesin më qeverinë e Edi Ramës.
“Marrëdhëniet janë në nivel zero. SHBA ka dhënë mesazhin e qartë se kjo qeveri nuk do të jetë jetëgjatë. Mandati i katërt i Ramës shihet si kërcënim për demokracinë funksionale,” – tha Toska.
Ai shtoi se lidhjet e Ramës me George Soros dhe djalin e tij Alex Soros janë të papranueshme për administratën konservatore të Donald Trump.
“Rama praktikisht është ‘non grata’ në Amerikë. Duhet një opozitë e re dhe e fortë që të përmbushë standardet e aleatëve perëndimorë dhe të sjellë ndryshimin që shqiptarët presin,” – përfundoi gazetari.