Shtetet e Bashkuara nuk do të veprojnë më si ndërmjetëse në negociatat për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, ka konfirmuar Departamenti i Shtetit, duke sinjalizuar një ndryshim në rolin e Uashingtonit në këtë konflikt.
Zëdhënësja e departamentit, Tammy Bruce, tha se SHBA po ndryshon “metodologjinë e kontributit të saj” në bisedime dhe nuk do të “udhëtojë më nëpër botë në çdo moment” për takime.
“Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë, por nuk do të udhëtojmë më nëpër botë si ndërmjetës nëpër takime,” u tha znj. Bruce gazetarëve. “Tani u takon dy palëve — ka ardhur koha që ato të paraqesin dhe të zhvillojnë ide konkrete për t’i dhënë fund këtij konflikti. U takon atyre.”