Nga dita e sotme spitali Shefqet Ndroqi do t’iu rikthehet qytetarëve, pasi prej më shumë se një muaj nuk ofronte shërbime, për shkak se ishte shndërruar në spital Covid. Lajmin e dha ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila tha se plani i rihapjes kërkon dhe ndërhyrje në spitale, duke qenë se numri i personave që kërkojnë trajtim spitalor në vendin tonë është në rënie pas çdo dite, dhe sot ka shkuar ne 15.
“Në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, i cili nga sot nuk do të jetë më spital COVID dhe të gjitha rastet e të prekurve nga COVID19 po trajtohen në spitalin infektiv. Plani i ri-hapjes parashikon edhe rikthimin e ndërhyrjeve të planifikuara në spitale, duke vendosur qytetarin në qendër të të gjithë shërbimeve tona të kujdesit shëndetësor. Mirënjohje të gjithë stafit mjekësor për punën dhe përkushtimin!”, shkruan Manastirliu.
“Prej datës 28 Mars, spitali u përfshi në skenarin për trajtimin e pacientëve me COVID19 dhe deri sot puna nuk ka ndalur në spitalin tuaj për të trajtuar pacientët me COVID19. Janë rreth 60 pacientë që janë trajtuar në këtë spital dhe unë dua t’iu falenderoj për gjithë angazhimin, punën e mjekëve infermierëve, të gjithë stafeve mjekësore dhe një falenderim të veçantë për shërbimin e reanimacionit, që ka trajtuar pacientë të sëmurë rëndë dhe sigurisht me dedikim edhe sakrificë maksimale, me profesionalizëm ja ka dalë për të përballuar këtë sëmundje, që për të thënë të vërtetën, ishte e vështirë”, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë lajmëroi edhe rifillimin e ndërhyrjeve të planifikuara nga dita e sotme.
“Në strategjinë e rihapjes, edhe sistemi shëndetësor po kthehet gradualisht në normalitet. Nga sot rifillojnë konsultat e specializuara, por mbi të gjitha ndërhyrjet e planifikuara të kirurgjisë, i rikthehet normalitetit”, tha Manastirliu. Duke folur për fazën e rihapjes, Manastirliu theksoi se situata do të monitorohet dhe vlerësohet në baza ditore dhe 14 ditore.
“Nga dita e sotme janë hequr të gjitha kufizimet përsa i përket autorizimeve në lëvizje, qoftë për këmbësorët, qoftë për automjetet. Gjithashtu është rritur fasha e lëvizjes në zonat e kuqe deri në orën 21:00 të mbrëmjes dhe përsa i përket zonave të gjelbërta është hequr fasha orare që kufizonte lëvizjen. Sigurisht që kjo bëhet në kuadër të një strategjie ri-hapjeje dhe praktikisht po ecim sipas këtij plani, duke bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike, duke parë dhe duke vlerësuar rastet që kemi të shtruara në spital dhe gjithashtu edhe rastet e rënda, në terapi intensive. Deri më tani situata është nën kontroll por do të monitorohet në vijimësi”, tha Manastirliu.
Plani i masave lehtësuese që ka nisur nga dita e sotme parashikon heqjen e kufizimit të lëvizjes në zonat e gjelbërta, ku është shtuar edhe qarku i Fierit. Fasha orare e lëvizjes në zonat e kuqe zgjatet deri në orën 21:00 për lëvizjen dhe aktivitetet e biznesit.
Nga sot, hiqen të gjitha autorizimet për lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve gjatë javës. Nis zhvillimi i procesit mësimor për maturantët. Hapen muzetë, bibliotekat, arkivat, etj. Lejohen stërvitjet e sportistëve në ambiente të hapura si dhe janë hapur bare/ restorante vetëm në ambiente të hapura.