Deputeti demokrat Tritan Shehu si dhe anëtar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë por edhe ish-ministër i Jashtëm për gjashtë muaj në vitin 1996, i ftuar në studion e Fax News ka folur për ngjarjen e ditës në të gjitha mediat botërore – atë të sulmit raketor të aleatëve perëndimor mbi objektivat e qeverisë së Bashar al Asadit në Siri.
“Po të shohësh objektivat e sulmeve në të gjithë atë zonë në Siri e në Libi mund të themi se çfarë ka ndodhur. Po të marrim rastin e Libisë, pas përpjekjeve për të vendosur atje një sistem demokratik, diktatori u eleminua. Në Siri pas pranverës arabe, diktatori u përgjysmua.” – tha Shehu.
Shehu u shpreh se në Siri nuk ndodhi finalizimi e pranverës arabe me ato aspirata të vendosjes së demokracive perëndimore për popujt e atyre vendeve. Shehu tha se ato shkaktuan një shkatërrim apo gjysmëshkatërrim të diktaturave ekzistuese por edhe i futën këto vende në vorbulla konflikti prej ku përfituan lëvizje radikale të quajtura islamike.
“Nuk pati dëshirë të ndërtohej shtet demokratik por thjesht keqpërdorim të fesë për arsye politike duke i kthyer ato vende në një rezervat të madh terrorizmi për të gjithë botën.
Në atë zonë ka kryqëzime të mëdha interesash, sidomos vendet arabe, të cilat nuk lejuan ndërtimin e një demokracie perëndimore por edhe një prematuritet të perceptimi të demokracisë nga popullsitë e atyre vendeve. Por nga ana tjetër në momentin që filloi lëvizja demokratike nuk pati mbështetje të vendeve perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendi i vetëm që e kreu me sukses kalimin e kësaj faze ishte Tunizia.
Heqja e armëve kimike nga Siria që u deklarua nuk ishte e vërtetë pasi kishin rezerva të tjera të fshehura.” – tha deputeti i PD.
Në lidhje me palën tjetër, Rusinë, Tritan Shehu tha se po i vendos interesat e saj mbi një regjim kriminal.
“Rusia ka interesat e veta që fatkeqësisht i bazon mbi regjimin e Assadit dhe nuk kupton se ai është regjim moralisht i mbaruar dhe se një regjim demokratik do të ndihmonte interesat e të gjithëve.
SHBA po bëhen lider në udhëheqjen procesit. Sulmi i trojkës SHBA Angli Francë, pati mbështetjen e të gjithë anëtarëve të NATO-s. Pa ndërhyrjen e SHBA në atë zonë nuk mund të zgjidhen dot problemet.” – tha Shehu.
“Nuk mendoj se reagimi i Rusisë do të jetë i tejskajshëm për shkak se nuk ka realisht interesa jetike në Siri. Rusia nuk do ta shtyjë situatën përtej një vije të kuqe. Kjo duhet t’i bëjë të kupojnë rusët që të pranojnë një zgjidhje politike për atë zonë, për një zgjidhje sa më demokratike.
Rusët kanë interesa të mbajnë në kaos të gjithë rajonin, bashkë me disa vende të tjera të rajonit si disa vende arabe.” – shtoi ai.
Në lidhje me politikën amerikane si politikë orientuese të demokracisë dhe interesave të të gjitha vendeve në të gjithë botën Tritan Shehu tha:
“Ne si PD kemi një parim: Në çështjet e politikave të sigurisë duhet të ndjekim vetëm SHBA dhe askënd tjetër.
Ngjarja e djeshme tregoi se pa SHBA nuk merren vendime dhe kjo e kristalizoi rolin e SHBA.
Ka një ndryshim të kursit që nga administrata e Obamës por edhe ndryshim në atë që tha presidenti Trump se SHBA do të merren vetëm me veten.
SHBA nuk mund të merren vetëm me veten e tyre. Roli i SHBA është botëror. Vetja e SHBA është bota.” – theksoi Shehu.
(E.L./Faxweb)